Enea Thomaraj luftoi tre muaj me vdekjen, pasi u plagos rëndë në atentatin ndaj motrave Nikolli, por fatkeqësisht nuk ja doli. 26-vjeçari humbi jetën 3 ditë më parë në Spitalin e Traumës. Në një rrëfim për “Jetë Shqiptare”, babai i tij, Artur Thomaraji tregon ankthin dhe dhimbjen e përjetuar përgjatë këtyre tre muajve, teksa shpresonte se i biri do tja dilte.
“Kanë qenë ditë të dhimbshme. Rrinte gruaja ime, natë ditë, unë nuk e përballoja dot ta shihja djalin ashtu. Ishte djalë punëtor, mbante familjen, me dy pensionistë në shtëpi. Vetëm ai punonte me turne. Atë natë po fliste se donte të ikte jashtë, nuk po i dilte viza për Gjermani dhe po priste ta merrnin në telefon nga Anglia, në atë moment, po shkonte në banjo kur shpërtheu dera. Urgjenca erdhi me vonesë”, tha ai.
Megjithëse vlerëson punën e mjekëve në Spitalin e Traumës, Artur Thomaraji beson se i biri do të ishte gjallë sot nëse do të ishte mjekuar në një spital tjetër jashtë vendit.
“Nuk kam asnjë mbështetje, përveç ndihmës së disa mjekëve të mrekullueshëm te Spitali i Traumës. Doja ta çoja jashtë, por më thanë që nuk mund të lëvizej. Kërkoj ndihmë”, deklaroi ai.
26-vjeçari mbeti viktimë e një shpërthimi tritoli që në fakt kishte si objekt fqinjët e tij, motrat Nikolli. Ai ndodhej në banesën e tij, por presioni i shpërthimit, shkatërroi portën hyrëse të apartamentit të të ndjerit dukë e goditur rëndë në kokë.
/rtsh.al/