RTSH 24 Live

Aktualitet

Dyshohet se plagosi për motive xhelozie, Lorenc Kostën, vetëdorëzohet pas 2 ditësh polici, Erjon Goxhara

21/08/2024

Dyshohet se plagosi për motive xhelozie, Lorenc Kostën, vetëdorëzohet pas 2 ditësh polici, Erjon Goxhara

Vetë-dorëzohet punonjësi i Policisë së Shtetit, Erjon Goxhara, i cili dy ditë më parë plagosi me armë zjarri 45-vjeçarin, Lorenc Kosta në zonën e Komunës së Parisit.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Tiranës, e cila thekson se Goxhara është vetë-dorëzuar sëbashku me armën e shërbimit, e cila dyshohet se kreu edhe plagosjen.   

“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën "Tish Daija", sot, rreth orës 17:00, është vetë-dorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.

Ngjarja

Sipas policisë, rreth orës 14:00 të datës 19 gusht, në rrugën “Tish Daija”, Erjon Goxhara 46 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policisë në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, jashtë shërbimit, për motive të dobëta ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Lorenc Kosta, 45 banues në Tiranë, i cili si pasojë e të shtënave ka marrë disa plagë në trup (bark dhe gjymtyrët e poshtme).

Menjëherë pas ngjarjes, i dëmtuari Lorenc Kosta, është dërguar për ndihmë të specializuar mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë, ndërsa autori i dyshuar Erjon Goxhara u largua nga vendi i ngjarjes, duke ju shmangur ndjekjes policore.

“Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 (gjashtë) gëzhoja kalibër 9 mm, 1 (një) predhë me ngjyrë bronzi e deformuar, një këmishë predhe me ngjyrë bronzi, 3 rripa pantallonash të ndotur me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, etj. Lidhur më këtë ngjarje, janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike, të administruar nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitar okularë, dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj.”, njoftoi policia.

Nga hetimet rezultoi se Erjon Goxhara e ka qëlluar në këmbë dhe kofshë me armë 45-vjeçarin, Lorenc Kosta, pasi dyshohet se ky i fundit kishte një histori me bashkëshorten e tij.

/rtsh.al/