RTSH 24 Live

Botë

Duda: Polonia gati të presë armë bërthamore

22/04/2024

Duda: Polonia gati të presë armë bërthamore
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda

“Polonia është e gatshme të presë armë bërthamore nëse NATO vendos të vendosë armët përballë Rusisë që përforcon armatimet e saj në Bjellorusi dhe Kaliningrad”, ka bërë të ditur presidenti i vendit, Andrzej Duda.

“Nëse aleatët tanë vendosin të vendosin armë bërthamore në territorin tonë si pjesë e ndarjes bërthamore, për të përforcuar krahun lindor të NATO-s, ne jemi gati ta bëjmë këtë. Unë kam folur tashmë për këtë disa herë. Më duhet të pranoj që kur u pyeta për këtë, u shpreha gatishmërinë tonë. Rusia po militarizon gjithnjë e më shumë Kaliningradin. Kohët e fundit ajo ka zhvendosur armët e saj bërthamore në Bjellorusi,” tha Duda.

Polonia, një anëtare e NATO-s dhe një mbështetëse e vendosur e Ukrainës ndan një kufi si me enklavën e Kaliningradit të Rusisë, ashtu edhe me Bjellorusinë, aleatin e Moskës.

Kaliningrad u shkëput nga Moska kur Lituania u bë e pavarur gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991.

Duda foli për mediat polake pas një vizite në Nju Jork, ku zhvilloi takime në OKB dhe diskutoi për luftën në Ukrainë me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Në mars, ai vizitoi Uashington DC, ku u takua me Presidentin e SHBA Joe Biden.

Në qershor 2023, Vladimir Putin konfirmoi se Rusia kishte dërguar armë taktike bërthamore në Bjellorusi e cila kufizohet me Ukrainën dhe Poloninë.

/rtsh.al/