RTSH 24 Live

Politikë

Drejtues politik i Qarkut Shkodër, Beci: Është një sfidë, zhvillimi i Shkodrës rrugë pa kthim  

08/09/2024

Drejtues politik i Qarkut Shkodër, Beci: Është një sfidë, zhvillimi i Shkodrës rrugë pa kthim  

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka komentuar vendimin e kryeministrit Edi Rama, për ta vendosur drejtues politik të Qarkut të Shkodrës, për zgjedhjet parlamentare 2025.

Beci, pasi falënderon Ramën për besimin, thekson ndër të tjera se do japë maksimumin për këtë detyrë sfiduese në rrugën pa kthim për zhvillimin e Shkodrës.

“Janë emocione të përziera këto të sotmet, kur Kryeministri Edi Rama sapo më ngarkoi me një detyrë të rëndësishme, sfiduese e krejt të re për profilin tim. Jam thellësisht falënderues për mundësinë dhe besimin për të qenë koordinator politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës.

Pa diskutim z. Rama, por veçanërisht  qytetarëve të Shkodrës e bashkëpunëtorëve të mi. Falë jush, rrugëtimi ynë i përbashkët në politikë, prej prillit të 2021 po rezulton i duhuri. Ndjehem gjithashtu i shpërblyer për modelin tonë të të bërit politikë.”, shkruan Beci.

Sipas tij, duke u fokusuar te puna dhe pozitiviteti, te aftësitë dhe vullneti për ta zhvilluar rajonin tonë, duket se po sjellim bashkë edhe mundësi të reja.

Beci thekson se ndjehet edhe i sfiduar, si dikush që merr përsipër për herë të parë përgjegjësi, në një fushë ku përpara kanë kontribuar njerëz me përvojë më të gjatë.

“Me shumë dëshirë, motivim dhe besim do t'i kushtohem edhe kësaj detyre, për të dhënë maksimumin në një rrugë tashmë të pa kthim, atë të zhvillimit për Shkodrën si bashki e si qark. Kam nevojë për mbështetjen  e çdo anëtari të partisë, çdo kontribuuesi në vite e çdo qytetari në qarkun tonë. Nuk do të jetë e lehtë, por kjo e jona duhet dhe do të jetë rruga drejt zhvillimit pa kthim, siç Shkodra e meriton. Ne duhet e do të jemi të gjithë bashkë, sepse Shkodra është e para”, mbyll postimin Beci.

/rtsh.al/