RTSH 24 Live

Ekonomi

Drejtori Ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria për RTSH: Rruga për të ulur çmimet e shtëpive

18/07/2024

Drejtori Ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria për RTSH: Rruga për të ulur çmimet e shtëpive

Disa fenomene kanë shoqëruar zhvillimin dhe rritjen e tregut të pasurive të paluajtshme.

Vlera e tregut është rritur duke e bërë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një banese, çmimet për metër katror vijojnë të rriten, rritet me ritme të frikshme edhe kredia për shtëpi aq sa banka qendrore kërkon një ndjekje të rreptë të menaxhimit të kredive për banesa.

Transaksionet e shitblerjes po bien dhe rivlerësimi i banesave, nga një obsion i kërkuar nga palët, përfshirë edhe qeverinë, nuk është marrë në konsideratë.

Drejtori ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria, tha se rritja e vlerave të pronës ka çuar në rritjen edhe rritjen e çmimeve të tregut.

“Kemi parë që vlera e pronave është rritur, çmimet kanë qenë duke u rritur dhe kjo është një arsye që ne filluam këtë betejë për të ndihmuar sidomos rishitjen e apartamenteve të para dhe akomodimin e kërkesave që vjen nga shtresa e mesme. Ajo që kemi parë më parë ndër vite e gjithë barra ngarkohet mbi blerësin, pra kur do që një shitës të nxjerrë pronën e  tij me një çmim të rritur, e gjithë barra tatimore ka qenë duke u ngarkuar mbi blerësin,” tha Pipiria.

Një projektligj mbeti në Kuvend, pa mundur të realizojë rivlerësimin e pestë në transaksionet e tjetërsimit të pasurisë. Katër rivlerësimet e kaluara i dhanë qeverisë rreth 13,6 miliardë lekë, por edhe sollën lëvizshmëri të tregut të shitjes dhe lënies me qira.

Kemi arritur kulmin me transaksione në vitin 2022, në 2023 këto transaksione ranë me 5 me 8 për qind,” shtoi ai.

Reinaldo Pipiria i shpjegoi Televizionit Shqiptar edhe problematikat që vijnë nga rritje e kredive bankare dhe ngarkesa e lartë tatimore e pronave ekzistuese dhe rrugën drejt zgjidhjeve të pranueshme dhe efekteve të pritshme.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/