RTSH 24 Live

Europë

Dokumenti, SHBA pyet aleatët europianë se çfarë garancish u duhen për sigurinë e Ukrainës

16/02/2025

Dokumenti, SHBA pyet aleatët europianë se çfarë garancish u duhen për sigurinë e Ukrainës

Disa nga agjencitë botërore të lajmeve raportuan të dielën se SHBA-ja i ka dërguar një dokument partnerëve europianë për t'i pyetur se çfarë u duhet nga Uashingtoni para se të japin kontributin e tyre për sigurinë e Ukrainës.

Agjencia britanike "Reuters" mësohet se e ka parë dokumentin diplomatik me gjashtë pika dhe pyetje. Në të, vendet pyeten për garancitë që mund të japin për dërgimin e trupave në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për paqen të dakordësuar me Rusinë, dhe çfarë përmase do të kishte forca ushtarake e kryesuar nga Europa.

Këtë javë presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin, tre vite pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pa u këshilluar më parë me liderët europianë apo me Kievin. Ai tha se bisedimet për paqen duhet të fillojnë menjëherë.

"Cilat kërkesa, nëse ka ndonjë, për mbështetje nga SHBA-ja qeveria juaj i konsideron të nevojshme për të marrë pjesë në këto pakte për sigurinë? Përkatësisht, cilat resurse afatshkurtra dhe afatgjata mendoni se ju duhen nga SHBA-ja," shtrohet një nga pyetjet e dokumentit.

"Nëse forcat ushtarake të një shteti të tretë do të dërgoheshin në Ukrainë si pjesë e marrëveshjes për paqen, çfarë do të mendonit se duhet të jetë madhësia e nevojshme për këtë forcë të udhëhequr nga Europa? Si dhe ku do të dërgoheshin këto forca dhe për sa kohë?" thuhet në dokumentin e cituar nga "Reuters".

Diplomatët amerikanë shtrojnë edhe pyetjen a janë gati qeveritë europiane për të rritur sanksionet ndaj Rusisë.

Të hënën në Paris pritet të takohen udhëheqësit e vendeve të BE-së, mes tyre edhe ata të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, në samitin e thirrur urgjentisht për Ukrainën. /Reuters

/rtsh.al/