RTSH 24 Live

Aktualitet

Divorci Meta-Kryemadhi, gjykata cakton seancën e parë

7 orë para

Divorci Meta-Kryemadhi, gjykata cakton seancën e parë

Gjykata e Tiranës ka caktuar datën 21 shkurt për shqyrtimin e kërkesës për divorcin e Ilir Metës, President i Partisë së Lirisë, dhe deputetes Monika Kryemadhi. Seanca është planifikuar të mbahet në orën 10:30.

Ilir Meta ka kërkuar zgjidhjen e martesës 26-vjeçare me Monika Kryemadhin më 20 qershor 2024. Kjo kërkesë ka ardhur pas nisjes së një hetimi të thellë pasuror nga SPAK ndaj çiftit, i cili është i përfshirë në akuza për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie, lidhur me dosjen e CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.

Për të njëjtat akuza, Ilir Meta ndodhet në “arrest me burg”, ndërsa Monika Kryemadhi në "detyrim paraqitje".

Para dorëzimit të kërkesës për divorc, çifti kishte bërë deklarata të ashpra ndaj njëri-tjetrit dhe për vendimet politike që kishin marrë gjatë udhëheqjes së LSI-së. Këto kontradikta dhe përplasjet politike, tashmë, kanë çuar në një proces divorci, duke theksuar edhe ndikimin e këtyre tensioneve në raportin e tyre bashkëshortor.

/rtsh.al/