Gjendet pa jetë një 63-vjeçar në ujërat e lumit Vjosa. 63-vjeçari kishte humbur kontaktet me familjarët e miqtë një javë më parë, me të cilët kishte shkuar për peshkim në lumin Vjosa.
Si rezultat i kërkimeve të vazhdueshme, të kryera përgjatë këtyre ditëve, në territorin e fshatit Kashishtë, në zonën përreth dhe në ujërat e lumit Vjosa, nga shërbimet e Policisë së Fierit dhe polumbarët e RENEA-s, gjetën sot (23 janar) trupin e pajetë të 63-vjeçarit.
Nga këqyrja paraprake e trupit të të ndjerit, nuk janë konstatuar shenja dhune.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 18.01.2025, për shtetasin E. K., 63 vjeç, i cili humbi kontaktet me miqtë e tij, me të cilët kishte shkuar për peshkim në lumin Vjosa, më datë 16.01.2025, bëjmë me dije se:
Si rezultat i kërkimeve të vazhdueshme, të kryera gjatë këtyre ditëve, në territorin e fshatit Kashishtë, në zonën përreth dhe në ujërat e lumit Vjosa, nga shërbimet e Policisë së Fierit dhe polumbarët e RENEA-s, ditën e sotme, u gjet trupi i pajetë i shtetasit E. K., në vendin e quajtur "Bunac", në fshatin Kafaraj”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.
/rtsh.al/