Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka bërë të ditura informacione të reja sa i përket gjendjes shëndetësore të Kryepeshkopit Anastas.
Në një njoftim për mediet, Kisha theksoi se gjendja shëndetësore e klerikut mbetet e qëndrueshme.
Kryepeshkopi i është nënshtruar ndërhyrjeve përgjatë periudhës së shtrimit në spitalin "Evangelismos" në Greqi, ku ai qëndron prej datës 3 janar. Ditët e fundit ekipi mjekësor mësohet se provoi ta shkëpusë kryepeshkopin nga intubimi për të reduktuar rreziqet e mëtejshme që mund të vijnë nga ky proces i zgjatur respirator, por u vendos që 95-vjeçari të vazhdojë të mbështetet me frymëmarrje mekanike.
Kryepeshkopi Anastas u transferua në Greqi pasi u vërejt një rëndim i shëndetit të tij gjatë kurimit në Shqipëri.
Gjatë hospitalizimit në Greqi kryepeshkopi është vizituar nga përfaqësues të lartë të qeverisë e Kishës greke, si dhe nga disa mitropolitë shqiptarë.
“Në Spitalin “Evangelismos”, ku ndodhet i shtruar në Njësinë e Kujdesit Intensiv Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Shqipërisë, z. Anastas, pas një operacioni kirurgjikal, erdhi sot për vizitë përfaqësuesi i Patriarkanës Ekumenike në Athinë, Hirësia e Tij, Mitropoliti i Laodikesë, z. Theodhorit.
Hirësia e Tij, Mitropoliti i Laodikesë, u takua me Episkopin e Krujës, z. Anastas, dhe me priftërinjtë që e shoqëronin, në Kishën e Ungjillëzimit, në spital, ku kryen së bashku një lutje për shëndetin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë. Më pas, Hirësia e Tij i përcolli Episkopit të Krujës, z. Anastas, urimet e Patriarkut Ekumenik, si dhe urimet e tij personale.
Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës, e vuri në dijeni për gjendjen shëndetësore të Kryepiskopit, e cila mbetet e qëndrueshme, me një përmirësim të vogël. Më tej, ai shprehu falënderimet e tij të përzemërta për interesimin, lutjet dhe urimet e Patriarkut Ekumenik, duke i kërkuar atij që t’a falënderojë Patriarkun Ekumenik përzemërisht dhe me respekt për interesimin e treguar”, thuhet në njoftimin për mediet.
/rtsh.al/