RTSH 24 Live

Aktualitet

Shqipëria dhe Brazili rrisin bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës

4 orë para

Shqipëria dhe Brazili rrisin bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Federative të Brazilit, Sh.T.Z. João Tabajara De Oliveira Júnior, dhe Zëvendësambasadorin, Ministrin Këshilltar Ricardo Primo Portugal.

Gjatë takimit, të dyja palët konfirmuan gatishmërinë e plotë për intensifikimin e bashkëpunimit mes organizatave që ata përfaqësojnë, nëpërmjet koordinimit me INTERPOL dhe EUROPOL, për goditjen e rrjeteve të trafiqeve dhe krimeve të tjera ndërkombëtare.

Në mënyrë të veçantë, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes agjencive ligjzbatuese të të dyja vendeve, i cili ka çuar në identifikimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të vajzave dhe grave nga Brazili për ushtrimin e prostitucionit në Shqipëri.

Palët u dakordësuan që ky bashkëpunim të zgjerohet përtej punës policore, duke përfshirë organizimin e trajnimeve për hetuesit, shkëmbimin e përvojave dhe metodave më të mira policore, si dhe ofrimin e asistencës teknologjike për sektorët përkatës.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Brazilit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar.

/rtsh.al/