Presidenti Donald Trump mbajti një nga fjalimet e para të mëdha të presidencës së tij për udhëheqësit globalë të biznesit dhe politikës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Presidenti amerikan paralajmëroi udhëheqësit botërorë të biznesit që t’i prodhojnë produktet e tyre në Amerikë, ose do të përballen me tarifa shumë të larta.
"Mesazhi im për çdo biznes në botë është shumë i thjeshtë. Ejani t’i bëni produktet tuaja në Amerikë dhe ne do t'ju japim një nga taksat më të ulëta të çdo kombi në Tokë. Ne do t'i zvogëlojmë ato shumë, shumë drastikisht. Por në qoftë se nuk e bën produktin tënd në Amerikë, që është e drejta jote, atëherë do të duhet të paguash tarifa, që do të drejtojnë qindra miliardë dollarë, madje edhe triliona dollarë në thesarin tonë për të forcuar ekonominë tonë dhe për të paguar borxhin tonë," tha Trump.
Ndalur te marrëdhëniet e SHBA me BE, Trump tha se Unioni po e trajton "shumë padrejtësisht” Amerikën. Trump kritikoi Bashkimin Evropian, duke thënë se tarifat dhe taksat e tij janë tepër të larta.
"Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian po na trajton shumë, shumë padrejtësisht, shumë keq. Ata në thelb nuk marrin prodhimet tona bujqësore dhe nuk marrin makinat tona, por na dërgojnë makina me miliona. Ne kemi qindra miliardë dollarë defiçite me BE dhe askush nuk është i kënaqur me këtë. Dhe ne do të bëjmë diçka për këtë”, tha ai.
Trump përsëriti po ashtu kërkesën që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë 5% të PBB-së së tyre për mbrojtjen.
"Do t'u kërkoj gjithashtu të gjitha vendeve të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së, gjë që duhet të kishte ndodhur vite më parë," tha ai.
Trump tha ndër të tjera se ka në plan një ndërhyrje të madhe në tregun e naftës, duke i kërkuar Arabisë Saudite dhe OPEK-ut të "ulin koston e naftës". Ai i kërkoi gjithashtu Arabisë Saudite të rrisë investimet e saj në SHBA në 1 trilionë dollarë. Sipas Trump, kjo do të ndihmojë për t'i dhënë fund edhe luftës në Ukrainë, duket duke ulur buxhetin e luftës së Rusisë.
"Do t'i kërkoj gjithashtu Arabisë Saudite dhe OPEK-ut të ulin koston e naftës. Ju duhet ta reduktoni atë, gjë që sinqerisht, unë jam i habitur që nuk ndodhi përpara zgjedhjeve", tha Trump.
Mbi Ukrainën, Trump tha se vendi është gati të bëjë një marrëveshje dhe tha se do që të takohet me presidentin rus Vladimir Putin së shpejti për t' i dhënë fund konfliktit.
"Përpjekjet tona për të siguruar një zgjidhje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës shpresojnë se tani janë duke u zhvilluar," tha ai, duke e përshkruar Ukrainën si një "fushë masakre ku miliona ushtarë vriten."
/rtsh.al/