RTSH 24 Live

Botë

Studimi: Zbardhja e koraleve në Barrierën e Madhe Koralore të Australisë ka arritur nivele katastrofike

4 orë para

Studimi: Zbardhja e koraleve në Barrierën e Madhe Koralore të Australisë ka arritur nivele katastrofike

Një studim i ri ka zbuluar se nxehtësia rekord e oqeanit ka ndikuar shumë në një nga mrekullitë më të mëdha natyrore në botë, në zbardhimin e koraleve në Barrierën e Madhe Koralore të Australisë që arrin nivele “katastrofike”.

Sipas një ekipi shkencëtarësh australianë, më shumë se 50% e koraleve të prekura të vëzhguara pranë një ishulli në jug të shkëmbinjve koralorë u vranë vitin e kaluar gjatë “zbardhimit më të ashpër dhe më të përhapur” që ka goditur ndonjëherë zonën.

Në vitin 2024, shkëmbinjtë koralorë përjetuan verën më të keqe të regjistruar. Temperaturat në rritje të oqeanit thyen rekorde, duke shkaktuar ngjarjen e shtatë masive të zbardhimit të shkëmbinjve koralorë. Koralet zbardhen kur valët e nxehtësisë detare i vënë ato nën stres, duke bërë që të dëbojnë algat nga indet e tyre.

Dëmtimi i koraleve u përshpejtua edhe vitin e kaluar nga modeli i motit El Ninjo, i cili ngroh temperaturat e oqeanit në këtë pjesë të botës.

Shkencëtarët nga Universiteti i Sidnej gjurmuan 462 koloni koralesh në ishullin One Tree Island të shkëmbinjve koralorë gjatë pesë muajve të vitit të kaluar, duke filluar nga kulmi i valës së të nxehtit në fillim të shkurtit.

Deri në maj, 370 nga këto koloni u zbardhën dhe, deri në korrik, 52% e koraleve të zbardhuara ishin të vdekura, sipas studimit të botuar në Limnology and Oceanography Letters.

Disa lloje koralesh të monitoruara kishin një shkallë vdekshmërie prej 95%, me studiuesit që vërejtën fillimin e "shembjes së kolonive" ku skeleti i vdekur shkëputet nga shkëmbinjtë koralorë dhe kthehet në rrënoja.

Me një sipërfaqe prej afro 345.000 kilometrash katrorë, Barriera e Madhe Koralore është shkëmbi koralor më i mëdhenj në botë, ku banojnë më shumë se 1.500 lloje peshqish dhe 411 lloje koralesh të forta. Ajo kontribuon miliarda dollarë në ekonominë australiane çdo vit, kryesisht nëpërmjet turizmit, dhe promovohet shumë për vizitorët e huaj si një nga mrekullitë më të mëdha natyrore të vendit dhe të botës.

Autorët thanë se zbardhja masive po bëhet "një ngjarje bienale" dhe si e tillë "përforcon nevojën për veprim urgjent global tani për t'iu përmbajtur objektivave për të reduktuar emetimet."

Zbardhja masive e rëndë në Barrierën e Madhe Koralore ishte vërejtur më parë në vitet 1998, 2002, 2016, 2017, 2020 dhe 2022.

Ana Vila Konçejo, bashkëautore e studimit tha: “Elasticiteti i shkëmbinjve koralorë po vihet në provë si kurrë më parë dhe duhet t'u japim përparësi strategjive që rritin aftësinë e tyre për t'i bërë ballë ndryshimit të klimës. Gjetjet tona theksojnë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive të menaxhimit për të mbrojtur këto ekosisteme."

/rtsh.al/