RTSH 24 Live

Serbi

Ditë zie për vdekjen e katër fëmijëve në Novi Pazar

06/03/2023

Ditë zie për vdekjen e katër fëmijëve në Novi Pazar

Autoritetet e qytetit të Novi Pazarit, në pjesën jugperëndimore të Serbisë, shpallën të hënën Ditë zie, për shkak të vdekjes tragjike të katër fëmijëve në një zjarr që shpërtheu në banesën e tyre të dielën.

Me këtë vendim, të gjithë flamujt u ulën në gjysmështizë, objektet e hotelerisë nuk transmetojnë muzikë, ndërsa ngjarjet argëtuese u shtynë.

Zjarri shpërtheu në një banesë në qytetin jugperëndimor të Novi Pazarit herët në mëngjesin e ditës së diel.

Policia tha se zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje pak minuta pasi u lajmëruan, por nuk mundën të shpëtonin fëmijët që ndërruan jetë nga helmimi me monoksid karboni.

Prindërit ndodheshin në një dhomë tjetër dhe u shtruan në spital me plagë të djegura.

Zjarri është lokalizuar dhe më pas është fikur me shpejtësi, ndërsa hetimet do t’i përcaktojnë shkaqet e zjarrit, thuhet në njoftimin e MPB-së serbe citon RadioEvropa e Lirë.

/rtsh.al/