Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së publikoi një mesazh të veçantë në shënimin e Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut. "Autoritarizmi është në rritje," tha Antonio Guterres, duke këmbëngulur se “është më e rëndësishme se kurrë të promovohen dhe respektohen të gjitha të drejtat e njeriut, sociale, kulturore, ekonomike, civile dhe politike, që na mbrojnë të gjithëve”.
Ai theksoi se fjalia ikonë hapëse e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ku thuhet se “Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe të drejta”, është po aq e rëndësishme sot sa ishte kur u miratua 75 vjet më parë.
Sekretari Guterres theksoi se Deklarata Universale tregon rrugën drejt vlerave dhe qasjeve të përbashkëta që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e tensioneve dhe në krijimin e sigurisë dhe stabilitetit që dëshiron bota jonë.
“Bota po humb rrugën. Konfliktet janë të ndezura. Varfëria dhe uria po shtohen. Pabarazitë po thellohen. Kriza e klimës është një krizë e të drejtave të njeriut që po godet më së shumti grupet më të cenueshme” tha ai në mesazhin e publikuar gjatë së dielës.
Ai u bëri thirrje shteteve anëtare që të përdorin këtë 75-vjetor dhe Samitin e së Ardhmes vitin e ardhshëm, për të forcuar angazhimin e tyre ndaj vlerave të përjetshme të Deklaratës Universale.
“Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, unë u bëj thirrje njerëzve në mbarë botën të promovojnë dhe respektojnë të drejtat e tyre çdo ditë, për të gjithë, kudo”.
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut u miratua më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/