Zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë do të takohen këtë 27 shkurt në Bruksel. Takimi është konfirmuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa sqarohet më tej se në fokus do të jetë përdorimi i dinarit serb, temë kjo e cila ka sjellë jo pak përplasje mes Beogradit dhe Prishtinës.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, ka bërë me dije se të dyja palët kanë konfirmuar se do dërgojnë përfaqësuesit e tyre për këtë takim, për të cilin shtoi se do të zhvillohet në "formatin e zakonshëm të dialogut".
Në takimin e sotëm nga pala e Kosovës do të marrë pjesë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, ndrësa ekipi serb do të udhëhiqet nga kryenegociatori Petar Petkoviq.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) me vendimin e marrë për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, nxiti reagimin e Serbisë, e cila e akuzon Prishtinën se kërkon të krijojë kushte të padurueshme për jetën e serbëve.
/rtsh.al/