RTSH 24 Live

Politikë

Dhuna nga deputetët e opozitës, Kuvendi: Shkaktuan vepra penale, do ngarkohen financiarisht për dëmet

2 orë para

Dhuna nga deputetët e opozitës, Kuvendi: Shkaktuan vepra penale, do ngarkohen financiarisht për dëmet

Kuvendi ka reaguar mbi dhunën e ushtruar ditën e djeshme në seancë plenare nga deputetët e opozitës, ku përpos djegies së karrigeve të Parlamentit, përplasjes me gardën e deputetë, kreu i grupit parlamentar demokrat hodhi në drejtim të Kryeparlamentares Elisa Spiropali këmbën e karriges.

Kuvendi ka dënuar sktet e rënda të cilat jo vetëm i ka konsideruar si të papranueshme, por edhe të dënueshme.,

 “Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni më i rëndësishëm kushtetues që mishëron vullnetin e popullit nëpërmjet të zgjedhurve të vet, u sulmua dje si kurrë më parë dhe u përball me akte të rënda, deri në zjarrvënie, të dënueshme në aspektin e legjislacionit shqiptar dhe absolutisht të papranueshme në çdo aspekt tjetër.

Veprimet e ndërmarra nga deputetët e përfshirë, përmes goditjes me sende të forta ndaj personave të tjerë dhe djegies, shkatërrimit dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e seancave plenare, kanë shkaktuar përveç veprave penale edhe dëmtime të rënda të pronës publike”, thuhet në njoftim.

Kuvendi ka bërë me dije me anë të një njoftimi se ka ngritur grup pune për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga deputetët opozitarë, të cilët gjithashtu do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit financiar.

"Kuvendi i Shqipërisë, ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë.

Kuvendi i Shqipërisë u kujton të gjithëve se ky institucion është besimi dhe vullneti i popullit dhe populli nuk është një karrige që digjet, po është Sovrani që shërbehet deri në fund nga Kuvendi për besimin dhe vullnetin e Tij”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/