RTSH 24 Live

Politikë

Noka: Duhet qeveri teknike, Rama synon eliminimin e opozitës. Të bashkohemi në mosbindje civile

01/10/2024

Noka: Duhet qeveri teknike, Rama synon eliminimin e opozitës. Të bashkohemi në mosbindje civile

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka bërë thirrje për mosbindje civile dhe ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së opozitës më 7 tetor në orën 18.00.

Gjatë takimit me aleatët e opozitës duke krijuar atë që e cilësojnë Federata e Opozitës, Noka tha se kryeministri Rama prej 3 vitesh po tenton asgjësimin e opozitës që të mos ketë më asnjë zë denoncua për lidhjet e qeverisë së tij me krimin dhe korrupsionin.

Duke përmendur arrestimin e deputeti Ervin Salinaji dhe “arrestin në shtëpi” të Sali Berishës, Noka akuzoi Ramën se po përdor skenarë të ndryshëm për të eliminuar opozitës deri në kapjen e drejtësisë dhe SPAK.

“Prej tre vitesh, opozita është në një agresion të pandalshëm. Edi Rama prej tre vitesh ka bërë gjithçka për të likuiduar opozitën dhe opozitarizmin. Regjimi i Edi Ramës, i bazuar fund e krye në drogë, krim dhe korrupsion, synimin e tij kryesor kishte institucionalizimin e mafies në pushtet dhe bllokimin e zërit qeveritar që të mos kishte zë askush për të denoncuar këtë krim që po bëhej në vendin tonë. Që të mos kishte asnjë zë që të denonconte lidhjet e Edi Ramës me trafikun e drogës. Që të mos kishte asnjë zë që të denonconte lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar. Në këtë agjendë ai iu vërsul opozitës si bishë e tërbuar dhe tentoi të asgjësonte PD-në si partia kryesore e opozitës dhe më pas të rrënonte të gjithë opozitën.

Edi Rama vendosi të implementojë skenarin e dytë për të likuiduar përsëri opozitën, duke burgosur lidershipin e opozitës. I fabrikoi me Skapin e partisë një paçavure që ata e quajnë dosje, liderit të PD, duke i faturuar firmat e Edi Ramës, Sali Berishës, dhe duke sajuar gjëra të paqena, por që në fakt në fund konkludoi që ishte një flluskë sapuni. Vazhdoi me burgosjen e Fredi Belerit si një opozitar që po i merrte bashkinë ku ai kishte projekte për të vjedhur dhe rrëmbyer prona me investitorët e tij strategjikë. Fredi Beleri ishte pengesa kryesore që pronat e bregdetit të vidheshin nga Edi Rama dhe Olta Xhaçkat e tij. Beleri u burgos politikisht. Vazhdoi sulmi ndaj opozitës duke i tundur prangat kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Nuk mjaftoi deri këtu, dashuria e Edi Ramës me Fatmir Xhafën kërkonte një kurban dhe kurbani në ëndrrat e tyre ishte përcaktuar, duhej të ishte nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, sepse Salianji guxoi të thotë të vërtetën për një narkotrafikant që fshihej pas pushtetit të vëllait ministër”, tha Noka

Noka tha se opozita kërkon qeveri teknike për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të 2025,ndërsa thotë se mosbindja civile është e vetmja mënyrë për t’u ngritur kundër këtij regjimi.

“Ndaj ne jemi në këmbë dhe të vendosur që t’i bëjmë ballë dhe të luftojmë deri në fund për kauzën tonë. Kauza e çdo shqiptari sot është qeveria teknike për t’i dhënë zgjedhje të lira çdo shqiptari dhe që Shqipëria, më në fund pas 12 vitesh me zgjedhje të vjedhura dhe të dhunuara, pas 12 vitesh me narkoregjim, të kthehet në një shoqëri demokratike dhe pluraliste dhe në një shoqëri që zhvillohet dhe ecën drejt Europës. Rrugë tjetër për ne nuk ka. Rruga e vetme është të ngrihemi të gjithë kundër këtij regjimi dhe ne ftojmë sot nga kjo platformë e përbashkët të gjithë qytetarët e këtij vendi që të na bashkohen në mosbindje civile ditën e hënë në ora 18:00”, tha Noka.

/rtsh.al/