RTSH 24 Live

Politikë

Dhuna në Kuvend, Ambasada britanike: Palët të angazhohen në dialog konstruktiv

01/10/2024

Dhuna në Kuvend, Ambasada britanike: Palët të angazhohen në dialog konstruktiv

Ambasada Britanike në Tiranë ka dënuar dhunën në Kuvend në seancën plenare të 30 shtatorit dhe kërkon ndalimin e veprimeve që minojnë demokracinë në vend.

Përmes një reagimi, Ambasada britanike kërkon që palët të angazhohen në dialog konstruktiv, ndërsa shton se dhuna nuk ka vend në demokraci.

“Dhuna nuk ka vend në demokraci. Ambasada Britanike u kërkon të gjitha partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare.

Ambasada Britanike dënon veprimtarinë që synon të minojë këto parime dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur popullin dhe demokracinë e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e  Ambasadës britanike.

Në seancën e 30 shtatorit opozita shkaktoi një situatë të dhunshme në Kuvend dhe jashtë saj duke bllokuar foltoren, gjuajtur me sende në drejtim të anëtarëve të Kryetares së Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave si dhe dogji karriget duke shkaktuar kaos.

Ky përshkallëzim i situatës ishte paralajmëruar nga PD pas arrestimit të deputetit të saj Ervin Salianji, i cili u dënua me një vit burg për “kallëzim të rremë”, të cilin opozita e ka cilësuar si arrestim politik.

/rtsh.al/