RTSH 24 Live

Politikë

Dështimi i bisedimeve, Berisha paralajmëron Alibeajn: Kush prek flamurin e PD, i ka bërë hesapet shumë keq

01/11/2022

Dështimi i bisedimeve, Berisha paralajmëron Alibeajn: Kush prek flamurin e PD, i ka bërë hesapet shumë keq

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka folur me tone të ashpra pas dështimit të bisedimeve me grupin e Enkelejd Alibeaj, për të dalë në zgjedhjet vendore me një kandidat të përbashkët. Në një komunikim për mediat, Berisha ka paralajmëruar Alibeajn, i cili deklaroi se ata do të dalin më vete në zgjedhje, se  “kush prek flamurin e PD, i ka bërë hesapet shumë keq”.

Opozita nuk do të pengohet nga asgjë për të firmosur fitoren në këto zgjedhje. Zotërinjtë, një grup deputetësh, u ftuan, ose erdhën, pa asnjë lloj paragjykimi dhe prapamendimi që të bashkohen nëse donin, të garonin për çdo post në këto bashki, të paraqisnin kandidatura, ose në përputhje me statutin të krijonin, po të duan fraksionin. Por ata, sa janë nuk e di, por ata nuk duan as statutin as primaret dhe as fraksionin. Të sigurt të jeni se ai që prek flamurin e PD-së, i ka bërë hesapet shumë, shumë keq.  Kjo do të thotë që do e shikoni në ditët e ardhshme.  Nuk i preket flamuri Partisë Demokratike”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Stauti i 11 Dhjetorit, njohja e të cilit ishte kusht për negociatat, sipas Alibeajt, është “Kushtetuta e PD-së së Rithemeluar”. Njohja e këtij Statuti nga grupi i Alibeajt, do të nënkuptonte edhe njohjen e Berishës në krye të PD-së.

Statuti i 11 dhjetorit është Kushtetuta e pathyeshme e PD-së së Rithemeluar. Statuti është jashtë çdo lloj kompetence për tu shkelmuar. Ai është dokumenti bazë i PD-së në momentet kur ajo ndodhej përballë alternativës ‘të ishte apo jo’. Është themeli i saj, mbi të cilën është ngritur kjo forcë politike sot, më e fuqishme se kurrë dhe më e fuqishme se çdo forcë politike. Është ky statut që përbën themelet e fitores në zgjedhjet e 14 majit, por para saj leksionet historike që do të marrë çeta e vjedhësve, hajdutëve të Edi Ramës nga qytetarët shqiptarë. Sot unë kam një takim me kryetarët e degëve të PD-së së Tiranës, për të dhënë udhëzimet dhe për të bërë diskutimet për përgatitjet për protestën e jashtëzakonshme.  Ju nuk mund ta imagjinoni se sa zien sot në të 4-anët e vendit urrejtja ndaj Edi Ramës dhe bandës së tij”, u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, negociatori i grupit të Berishës, Edi Paloka, ka hedhur poshtë deklaratën e Alibeajt se i ishte vendosur si kusht njohja e Berishës në krye të PD. Sipas Palokës, negociatat dështuan për shkak se grupi i Alibeajt kërkoi eliminimin e primareve.

Kërkohet eliminimi i strukturave që ishin ngritur në PD nga një vit sakrificash, theksohej që të kishte një strukturë jashtë kësaj strukture që të merrte vendime me votë unanime, që do të thotë që njëri nga këto të thoshte jo dhe i gjithë procesi të binte poshtë, ishte një veto, që në ditën e parë menduan si ta bllokojnë si proces. Ne nuk kemi kërkuar as tërheqjen e kërkesës absurde në gjykatës. As njohjen e Berishës si kryetar. Fraksioni u thamë se është mundësi për të qenë pjesë e PD edhe pse kundërshtar brenda PD. Por dje ishte një fletë e mbushur me kushte. Që aty gjykohet se nuk ka vullnet për bisedime. Bisedimet kanë filluar përpara edhe me përfaqësues të tjerë. Nuk e them dot emrin”, tha Paloka.

Partia Demokratike do të shkojë e përçarë në zgjedhjet vendore të 14 majit, teksa Grupi Parlamentar i PD-së, i përfaqësuar nga Alibeaj, njoftoi se ata do të dalin më vete në zgjedhje, ndërsa akuzoi grupin e Berishës se nuk kishin sinqeritet dhe vullnet për të gjetur zgjidhje.  

/rtsh.al/