RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Debati mes kandidatëve për president të Maqedonisë V. fokusohet te kushtetuta, BE

22/04/2024

Debati mes kandidatëve për president të Maqedonisë V. fokusohet te kushtetuta, BE

Shtatë kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut mbajtën të dielën debatin e tyre të parë dhe të fundit para zgjedhjeve të 24 prillit.

Debati i organizuar nga radiotelevizioni publik maqedonas vuri përballë kreun e shtetit Stevo Pendarovski (i mbështetur nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, LSDM), Gordana Siljanovska (VMRO-DPMNE), Stevço Jakimovski (Opsioni Qytetar për Maqedoninë, GROM), Bujar Osmani (Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI), Biljana Vankovska (Majtas), Arben Taravari (Aleanca për Shqiptarët, VLEN) dhe Maksim Dimitrievski (Për Maqedoninë tonë, ZNAM).

E hëna është dita e fundit e fushatës zgjedhore dhe e marta është dita e heshtjes zgjedhore para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili kandidon për një mandat të dytë, deklaroi se kryetari i shtetit duhet të ketë veton absolute për vendimin e ndryshimit të kushtetutës, që ajo të përfshijë edhe bullgarët në të, si kusht për fillimin e e bisedimeve për anëtarësim në BE. Gjithashtu, formulimi “gjuha që flet të paktën 20% e popullsisë” duhet të zëvendësohet me “gjuhën shqipe” siç kërkohet nga partitë shqiptare.

Ai shtoi se realiteti në Maqedoninë e Veriut është multietnik. "Ne po kërkojmë modele konkrete të bashkëjetesës për të mirën e vendit, në vend që të luftojmë mes vetnesh. Ideja e Bullgarisë është e qartë - të përqafojmë plotësisht narrativën bullgare. Atë e kemi refuzuar. Ajo që ka mbetur janë 3.500 bullgarë, një pakicë e vogël që jeton këtu, të përfshihet në kushtetutë së bashku me pesë pjesë popullsish të tjera,” u shpreh presidenti në fuqi.

Gordana Siljanovska bëri thirrje për "reforma themelore kushtetuese" bazuar në analizën e gjerë të ekspertëve.

Stevço Jakimovski tha se është kundër rishikimeve kushtetuese dhe mbështet kompetencat më të gjera presidenciale. Duke folur për kushtetutën ai tha: "BE-ja ka nevojë për ne po aq sa ne kemi nevojë për BE-në. Prandaj edhe na duhet të vendosim kushte në vend që të jemi servilë. Ne nuk arrijmë të jemi as në nivelin e [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti, i cili pranon atë që funksionon dhe refuzon atë që nuk i nevojitet."

Bujar Osmani tha se presidenti duhet të zgjidhet nga parlamenti: "Modeli ekzistues është një model i polarizimit të mëtejshëm. Mendoj se [zgjedhja e presidentit nga parlamenti] në një proces gjithëpërfshirës do të çojë në depolarizim, si dhe në përfshirjen e të gjithëve në vendimmarrje. Kjo do të promovojë demokracinë në frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit". Ai shtoi se Shkupi duhet të përfitojë nga "dritarja e mundësive për zgjerimin e BE" dhe politikanët duhet të arrijnë një konsensus mbi përmbushjen e kushteve në kuadrin e negociatave.

Biljana Vankovska kërkoi "ndryshime radikale" në kushtetutë, duke thënë se BE-ja ka ndryshuar dhe NATO-ja është përfshirë në "një luftë të deleguar në Ukrainë". Ajo u shpreh se është pro ndërprerjes së marrëveshjes me Bullgarinë, "që është më e lehtë" për t'u bërë, dhe të Marrëveshjes së Prespës [për ndryshimin e emrit të vendit me Greqinë].

Arben Taravari argumentoi se Maqedonia e Veriut duhet të kërkojë garanci nga BE-ja, se amendamentet në kushtetutë janë kushti i fundit, sepse "natyrisht, korniza e negociatave nuk mund të ndryshojë". Duke iu referuar ndryshimeve të tjera kushtetuese, ai tha: “Demografia duhet pranuar ashtu siç është. Ju sfidoj të gjeni një vend ku përdorimi i gjuhës përcaktohet në përqindje dhe në numra. Pesëdhjetë vjet më parë gjuhët zyrtare ishin maqedonishtja, shqipja dhe turqishtja. Tani po diskutojmë nëse duhet të përdorim apo jo formulimin '20%' në kushtetutë. Pse nuk diskutojmë për një kushtetutë të re, kompetenca të ndryshme të presidentit dhe zgjidhje të tjera për problemet e vendit?"

Maksim Dimitrievski foli kundër ndryshimeve kushtetuese në mënyrë që "të parandalojnë shpërbërjen e unitetit të shtetit dhe transformimin e fshehur të Maqedonisë së Veriut nga një strukturë e thjeshtë në komplekse". Ai tha gjithashtu se sipas Brukselit, “ndryshimi i kornizës negociuese është i vështirë, por jo i pamundur, dhe korniza negociuese e Serbisë është dëshmi e kësaj”. /BTA

/rtsh.al/