Gjykata Themelore në Strugë, me kërkesë të Prokurorisë Publike, ka konfiskuar pasaportën e kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për të parandaluar kështu “arratisjen e tij”.
Merko, i cili po përballet me disa procedura gjyqësore aktive, tani është i detyruar të paraqitet një herë në javë në Gjykatë.
Prokurori publik kompetent i Strugës akuzon Merkon se në mars të këtij viti, “ka vendosur një shenjë përkujtimore – pllakë në hyrje të objektit të komunës, me të cilën ka nxitur urrejtje dhe përçarje etnike tek banorët e Strugës, duke kryer veprën penale nga neni 27 i Ligjit për memorialet dhe monumentet”, njoftoi më 28 dhjetor Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, Merko, i cili prej kohësh mban funksione publike, është pjesë e disa procedurave ligjore të hapura këtë vit nga Prokuroria Publike e Strugës.
Përmes një deklarate, Prokuroria sqaroi se deri më tani kundër tij janë ngritur disa kallëzime, ndërsa po zhvillohen edhe tetë procese gjyqësore për vepra penale si keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar si dhe për punë të papërgjegjshme në detyrë. Secila nga këto vepra parasheh dënim me burgim.
Bazuar në këtë situatë, prokurori kompetent ka vlerësuar se ekziston rreziku real që Merko “të përpiqet t’i shmanget ndjekjes penale”, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ramiz Merko, i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, u shpall person "non grata" nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) më 20 qershor 2023.
/rtsh.al/