RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut mori një kredi të re nga Hungaria: 1 miliard totali i huamarrjes

21/12/2024

Maqedonia e Veriut mori një kredi të re nga Hungaria: 1 miliard totali i huamarrjes

Maqedonia e Veriut mori 500 milionë euro të tjera hua nga Hungaria, me marrëveshjen përkatëse të nënshkruar të premten në Budapest nga ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrieska-Kotsoska dhe përfaqësuesja e Bankës Hungareze të Eksport-Importit.

Siç njofton qeveria e Maqedonisë së Veriut, kjo kredi e re prej 500 milionë eurosh nga Hungaria do të ndahet për shlyerjen e një eurobondi të emetuar nga vendi në vitin 2018 dhe që skadon më 25 janar 2025.

Lëshimi i shumës nga kjo kredi e re do të bëhet më 9 ose 10 janar 2025, siç tha ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut.

Tetorin e kaluar, Maqedonia e Veriut mori 500 milionë euro hua nga Hungaria, nga të cilat 250 milionë euro janë të destinuara për financimin e bizneseve të vendit dhe 250 milionë euro të tjera për komunat e vendit për financimin e projekteve komunale.

Këto dy kredi, në total një miliard euro, kishin rënë dakord kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Christian Mickoski dhe Hungarisë, Viktor Orban, gjatë takimit të tyre korrikun e kaluar në Uashington, në margjinat e Samitit të NATO-s.

Sipas CNN, Norma e interesit të këtyre dy kredive është 3.25%, periudhë trevjeçare dhe shlyerje në 15 vjet.

Ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut deklaroi se për këtë kredi vendi iu drejtua Hungarisë dhe jo tregjeve ndërkombëtare, sepse në rastin e dytë norma e interesit do të ngrihej në të paktën 6% dhe kushtet nuk do të ishin aq të favorshme- tha ajo.

Që kur VMRO-DPMNE e krahut të djathtë të Christian Mickoski mori qeverisjen e Maqedonisë së Veriut (në qershor 2024), vendi i është drejtuar Hungarisë për mbështetje politike dhe financiare. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Christian Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE kanë marrëdhënie shumë të ngushta me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban dhe partinë e tij Fidesz.

Viktor Orban, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës të BE-së për semestrin aktual, bëri një vizitë në Maqedoninë e Veriut në fund të shtatorit, ku u prit ngrohtësisht nga kryeministri i kësaj të fundit, Christian Mickoski, i cili e quajti atë një mik të madh të vendi i tij dhe mbështetës i fortë i kursit të tij evropian.

/rtsh.al/