Disa ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë si të dyshuar për korrupsion madhor, Sekretari organizativ i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ish-zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi u tërhoq nga politika dhe jeta publike.
“Unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë”, u shpreh ish-zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi.
Grubi e cilësoi këtë hap një vendim personal për të ruajtur familjen dhe integritetin personal.
“Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit të BDI Ali Ahmeti”, tha ai.
Grubi kujtoi angazhimin e tij në shërbim të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të vendit, por sipas tij çmimi i atij angazhimi ka qenë i lartë për të dhe familjen e tij. Një ditë më parë Prokuroria e Shkupit se e ka nisur një hetim kundër Artan Grubi dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Enver Bexheti pas dyshimeve për përfshirje në korrupsion të lartë pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara i futën ata në listën e zezë.
/RTSH/