Rreth 3.500 të punësuar në gjashtë ministri dhe dy institucione shtetërore në Maqedoninë e Veriut kanë protestuar për nivelin e pagave.
Më konkretisht, nëpunësit e disa ministrive dhe institucioneve shtetërore, përfshirë ato të Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entit Shtetëror të Statistikave, protestuan më 14 janar për shkak të mosmiratimit të rritjes së shtesave në paga, një kërkesë kjo e përsëritur ndër vite.
Ata kërkuan nënshkrimin e kontratave kolektive dhe miratimin e shtesave për pagat në masën 30 për qind.
Në orën 11:00 deri në orën 11:30 , punonjësit ndërprenë punën në Entin Shtetëror të Statistikave, Arkivit Shtetëror, Ministrisë së Kulturës, Mjedisit, Çështjeve Evropiane, Transformimit Dixhital, Transportit dhe Lidhjeve dhe Ekonomisë dhe Punës. Punonjësit e Prokurorisë së Shtetit kanë reaguar të parët me grevë.
Kërkesat nuk janë të reja, problemi është i kahershëm, thonë punonjësit e pakënaqur që kanë mbështetjen e UPOZ-it.
Ato janë vënë në dukje edhe para miratimit të buxhetit të këtij viti. Ata që punojnë në ministri tregojnë se me miratimin e ministrave përkatës kanë dërguar propozim për marrëveshje kolektive në Ministrinë e Financave. Të cilat parashikojnë një shtesë në pagë prej 30 për qind.
Mediat vendase raportojnë se protestuesit akuzuan Ministrinë e Financave për mosmarrje të masave të nevojshme dhe theksuan se, që nga formimi i Qeverisë së re, kanë zhvilluar takime me shumicën e ministrave përkatës dhe kanë paraqitur propozimet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes kolektive.
“Edhe pse këto propozime për marrëveshje kolektive janë dorëzuar në Ministrinë e Financave, para miratimit të buxhetit shtetëror për vitin 2025, por për arsye të pakuptueshme për ne Ministria e Financave nuk i ka miratuar mjete për nënshkrimin e tyre”, deklaroi Trpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës.
/rtsh.al/