RTSH 24 Live

Rajon

Daçiq: Sesioni i Këshillit të Evropës u organizua me qëllim që Kosova të sigurojë pavarësinë

26/03/2024

Daçiq: Sesioni i Këshillit të Evropës u organizua me qëllim që Kosova të sigurojë pavarësinë

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është rikthyer në vëmendje javët e fundit, dhe ka ndezur reagime të shumta.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq e ka konsideruar të qëllimshme këtë gjë, për sigurimin e plotë të pavarësisë së Kosovës.

Ai thekson se është vazhdimësi e agresionit të NATO-s 25 vite më parë ndaj forcave të milicisë serbe.

“Është vetëm një vazhdimësi e gjithçkaje që nisi dje, 25 vite më parë. Ata thjesht nuk mund të besojnë se një vend kaq i vogël si Serbia po lufton që pavarësia e plotë e Kosovës të mos realizohet në nivel ndërkombëtar. Dhe ata pyesin veten se si është e mundur që vendet të tërheqin njohjen. Këtu, sot, 109 vende nuk e njohin Kosovën, 84 e njohin atë”, tha Daçiq.

Ai ka theksuar se ndonëse bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Prishtina që të formohet Unioni i Komunave Serbe në Kosovë, kjo nuk po zbatohet, ndërsa ka filluar procedura për pranimin e Prishtinës në Këshillin e Evropës.

Me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. Sakaq, kujtojmë se një ditë më parë, Mali i Zi paralajmëroi votën kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

/rtsh.al/