RTSH 24 Live

Sociale

Çmimet e larta të bulmetit, Konkurrenca hap hetime për treg monopol: Gjobë 10% e xhiros vjetore!

08/02/2023

Çmimet e larta të bulmetit, Konkurrenca hap hetime për treg monopol: Gjobë 10% e xhiros vjetore!

Monopol nga bizneset mbi çmimet e bulmetit? Duke marrë shkas nga paralajmërimi I disa bizneseve se nga data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta, Autoriteti i Konkurrencës vendosi ngritjen e Grupit të Punës për monitorimin e këtij tregu.

Sipas një njoftimi për shtyp nga ky institucion, për monitorimin e tregut të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të qumështit, Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione të bëra publike në media mbi njoftimin e ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit, të cilat kanë lajmëruar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur nga  data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta, vendosi ngritjen e Grupit të Punës për monitorimin e këtij tregu.

Autoriteti informon se duke ndarë shqetësimin për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë, po monitorohet në terren, me qëllim evidentimin, nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

“Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi.”- deklaron Autoriteti.

Institucioni që mbikqyr konkurrencën sjell në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.

/rtsh.al/