RTSH 24 Live

Ekonomi

Buxheti 2025: 74 miliardë lekë investime vitin e ardhshëm për projektet strategjike infrastrukturore

4 orë para

Buxheti 2025: 74 miliardë lekë investime vitin e ardhshëm për projektet strategjike infrastrukturore

 

Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi të martën në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektbuxhetin për vitin 2025.

Malaj tha se, “investimet publike për vitin 2025 janë planifikuar në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë dhe 4.5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE)”.

Sipas tij, në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025 parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.

Ministri u ndal më specifikisht, në financimin adresuar sektorit të infrastrukturës dhe energjisë që kap vlerën e 74 miliardë lekë, ose 2.8% e PBB.

“Në infrastrukturë synohet mirëmbajtja sipas standardeve e sistemit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë, me fond total për shpenzimet e mirëmbajtjes, prej 3 miliardë lekë; financimi i projekteve të rëndësishme, ku përmendim: Zgjerimi i Autostradës Tiranë – Durrës, rrugën Elbasan – Lekaj, By pass i Elbasanit dhe Berat – Ballaban.

Vijimi i zbatimit të projekteve koncesionare prioritare si: Rruga e Arbrit, Rruga Orikum-Dukat, by pass Porti i Jahteve, si dhe Rruga Milot-Morinë, ndërsa parashikohet rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali o pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas, rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Han i Hotit, Porti detar i Durrësit “Porto Romano”, ku për vitin 2025, janë parashikuar të investohen 14.7 miliardë lekë”, tha Malaj.


/ rtsh.al /