RTSH 24 Live

Politikë

Bushka mungon te "Ligjet", opozita: Komisioni të distancohet prej saj. PS: Lëmë drejtësinë të flasë

4 orë para

Bushka mungon te "Ligjet", opozita: Komisioni të distancohet prej saj. PS: Lëmë drejtësinë të flasë

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klodila Bushka ka munguar këtë të martë të drejtojë seancën, një ditë pasi u pyet nga SPAK, pasi ndaj saj ka nisur hetimet për akuzën e pengimit të drejtësisë, lidhur me hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.

Ky hetim ndaj Bushkës ka shkaktuar reagime të forta mes mazhorancës dhe opozitës në këtë komision. Opozita ka kërkuar një deklaratë të komisionit, duke kërkuar distancimin nga aktet e Bushkës. Sipas opozitës, ky është një moment kritik që kërkon një qëndrim moral nga ana e komisionit, duke theksuar se besueshmëria e këtij organi është e rrezikuar.

Nga ana tjetër, mazhoranca ka theksuar se drejtësia po bën punën e saj dhe se socialistët janë përgjigjur gjithmonë përpara drejtësisë. Eduard Ndreca, i cili po drejton komisionin, e cilësoi të paarsyeshme ndërhyrjen e politikës në punën e institucioneve të drejtësisë dhe theksoi se kjo çështje duhet të mbetet në duar të SPAK-ut.

Dashnor Sula: Të gjithë anëtarë e komisionit të opozitës dhe mazhorancës duhet të kishin dalë më një qëndrim lidhur me situatat e fundit sa i përket kryetares së këtij komisioni. Nuk ka të bëjë fare me asgjë personale me zonjën kryetare, por ka të bëjë me moralin e këtij komisioni, që do duhej të kishte pasur një qëndrim dhe nuk mund të kalojë në këtë gjendje kaq të heshtur. Të gjithë anëtarët e komisionit duhet të dilnin me një deklaratë të përbashkët distancomi ndaj kësaj gjëje. Unë do kërkoja të kemi një deklaratë një prononcim që të distancohemi nga kjo sjellë që ka bërë kryetarja e komisionit pasi ka dëmtuar rëndë imazhin e këtij komisioni. Ky komision duhet të kishte besueshmërinë më të lartë të pajisur me certifikatën e sigurisë dhe kjo që ka ndodhur nuk mund të kalohet në këtë mënyrë kaq të heshtur. Kjo është e paimagjinueshme

Eduard Ndreca: Ne nuk jemi këtu për të zëvendësuar institucionet e drejtësisë. Ata po bëjnë detyrën e tyre dhe të vijojnë të bëjnë dhe nuk kemi asnjë lloj arsye as të bëjmë deklarata dhe as të hyjmë në këto çështje për t’i diskutuar. T’ia lëmë drejtësisë të bëjë punë e saj.

Tensionet janë shtuar edhe më shumë kur Enkelejd Alibeaj theksoi se situata për kryetaren e Komisionit është e rëndë dhe kërkoi që ajo të hiqte dorë nga detyra deri sa të sqaronte akuzat ndaj saj. Nga ana tjetër, Toni Gogu nga mazhoranca kërkoi një qëndrim dinjitoz nga komisioni dhe ftoi opozitën të bëhet pjesë e komisionit të posaçëm anti-korrupsion.

Enkelejd Alibeaj: Ne nuk mund të hiqemi sikur nuk ka ndodhur asgjë, jo të paktën ky komision. Është e rëndë që për një kryerat i Komisionit të Ligjeve të ndodhet në një situatë të tillë. Duhet të jemi të sinqertë me shqiptarë se do ishte cinike që të përdorim drejtësinë kur na vjen për mbarë dhe kur s’na vjen për mbarë të mos e përdorim. Këtu moralisht zonja Bushka duhet të hiqet dorë vetë nga komisioni deri sa të sqaronte situatën e saj. Nuk duhet të jemi selektiv dhe jo të mbështesim një pjesë të SPKA-ut që i bie kundërshtarit dhe të sulmojmë ato prokurorë që na godet ne. SPAK nuk është godinë, por njerëz dhe meritojnë mbrojtjen më të mirë, sidomos tani nga Kuvendi. Është në nderin e këtij komisioni që të mbajë një qëndrim.

Toni Gogu: Sot ky komision mund të bënte vetëm një deklaratë, për t’u shkëputur njëherë e mirë nga ato prononcime të bëra nga kreu i opozitës se “do të quhej tradhtari më i madh i shqiptarëve nëse nuk do shkrinte SPAK-un”. Si mund të aderosh në një forcë që ka në programin e vetë shkrirjen e SPAK dhe të vijnë këtu dhe t’i kërkosh llogari socialistëve që me dinjitet shkojnë dhe përballen me ligjin pa u fshehur duke dhënë të gjithë llogarinë. Ka ikur koha kur prokurorët me pistoleta dilnin nëpër stadiume. Ky komision ka mbajtur qëndrim dinjitoz ndaj drejtësisë duke e mbështetur atë në punë e tyre. Opozita të na bashkohet te komisioni i posaçëm anti-korrupsion.

Një ditë më parë, Klotilda Bushka dha sqarime për rreth 4 orë në SPAK. Më herët ajo ka thënë se “nuk ka penguar askënd të thotë apo të fsheh ndonjë të vërtetë nga drejtësia”, ndërsa shtoi se ka fakte se shumë dëshmitarë janë intimiduar nga prokurorë të SPAK dhe këto deklarata janë përdorur si prova ndaj hetimit të Veliaj, por dhe vetë saj.

/rtsh.al/