RTSH 24 Live

Aktualitet

“Dosja Veliaj”- Nën hetim për pengim të hetimeve, Klotilda Bushka paraqitet në SPAK

5 orë para

 “Dosja Veliaj”- Nën hetim për pengim të hetimeve, Klotilda Bushka paraqitet në SPAK

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, njëherësh deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka është paraqitur këtë të hënë (24 shkurt) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Bushka është në hetim nga SPAK për akuzën e pengimit të drejtësisë lidhur me hetimin që po zhvillohet për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.

Kujtojmë se disa ditë më parë, Bushka deklaroi se nuk ka penguar askënd të thotë apo të fsheh ndonjë të vërtetë nga drejtësia, ndërsa shtoi se ka fakte se shumë dëshmitarë janë intimiduar dhe ushtruar trysni në deklaratat e tyre nga prokurorë të SPAK.

Sipas saj, pikërisht këto deklarata janë përdorur si prova ndaj hetimit të Veliaj, por dhe vetë saj. Bushka ka shprehur shqetësim se disa persona janë thirrur si dëshmitarë dhe më pas janë trajtuar si persona në hetim, duke iu mohuar e drejta për mbrojtje ligjore.

Sakaq, Erion Veliaj mbahet aktualisht në paraburgim në Durrës, pas kërkesës së SPAK për akuzat e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave.

Në seancën e 12 shkurtit, Gjykata e Posaçme rikonfirmoi masën "arrest në burg" për Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule, ndërsa disa të tjerë morën masa të tjera, përfshirë detyrim paraqitje.

/rtsh.al/