RTSH 24 Live

Aktualitet

Nën akuzë për vrasje me paramendim, GJKKO lë në burg Safet Bajrin

3 orë para

Nën akuzë për vrasje me paramendim, GJKKO lë në burg Safet Bajrin

Pas arrestimit me urdhër të SPAK, Safet Bajri doli para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. GJKKO vendosi ta lërë në burg Bajrin, një nga personazhet më të përfolur të botës së krimit.

Jo zyrtarisht mësohet së disa prova të reja të siguruara përmes zbërthimit të aplikacioneve SkyEcc, shtuan dyshimet e SPAK se Safet Bajri, kushëriri i tij Behar Bajri si dhe Asmer Bilali, janë përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018.

Bajri u arrestua mesditën e së premtes në Shkodër. Atij fillimisht iu tha që duhet të paraqitej në Drejtorinë e Policisë në Shkodër për një verifikim, por sapo ka shkuar, Forcat RENEA i vunë prangat dhe e sollën në Tiranë. SPAK e akuzon grupin kriminal për planifikimin dhe vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në lagjen “Kiras” të Shkodrës.

Fatbardh Lici ishte xhaxhai i Ibrahim Licit, rival i Bajrave. Sipas grupit hetimor, motivi i vrasjes lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana. Ndaj Safet dhe Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit rëndojnë akuzat vrasje me paramendim, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.

/rtsh.al/