RTSH 24 Live

Politikë

Presidenti Begaj pranon Letrat Kredenciale të Ambasadorit jorezident të Kenias në Shqipëri

5 orë para

Presidenti Begaj pranon Letrat Kredenciale të Ambasadorit jorezident të Kenias në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit jo rezident të Kenias në Shqipëri, Fredrick Lusambili Matwang’a.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re si Ambasador i Kenias në Tiranë z. Fredrick Lusambili Matwang’a dhe e siguroi atë për mbështetjen në përmbushjen e detyrës si Ambasador jo rezident në Tiranë.

Presidenti Begaj e konsideroi historik momentin e takimit në kontekstin e vendimit të shtetit shqiptar për të hapur së shpejti ambasadën në Nairobi, vendim që, sipas Kreut të Shtetit, do të thellojë pozitivisht bashkëpunimin e mirë politik që ekziston midis dy vendeve.

Presidenti Begaj vlerësoi dhe inkurajoi vijimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kenias në nivel organizatash ndërkombëtare.

Kreu i Shtetit veçoi në pritjen e tij të parë për Ambasadorin e Kenias se njohja e shtetit të Kosovës nga Kenia do të ishte një kontribut për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.

Nxitja e bashkëpunimit ekonomik, shtimi i ndërveprimeve njerëzore nëpërmjet shkëmbimeve kulturore, dhe turistike ishin disa nga temat që u trajtuan si mundësi e forcimit të lidhjeve midis dy vendeve.

/rtsh.al/