RTSH 24 Live

Politikë

Gjyqi për shpifje, Rama: Po shtyn seancat me llafe boshe, se s’ke prova. Bardhi: S’kupton ligjin

4 orë para

Gjyqi për shpifje, Rama: Po shtyn seancat me llafe boshe, se s’ke prova. Bardhi: S’kupton ligjin

Padia për shpifje që kryeministri Edi Rama ka ngritur ndaj deputetit demokrat Gazment Bardhi ka shkaktuar një përplasje të fortë mes të dyve, e cila ka përfunduar me akuza dhe reagime të ashpra në rrjetet sociale. Duke iu referuar një mesazhi të koordinatorit të tij juridik, Rama ka shpjeguar se padia është ngritur për shpifjet që Bardhi ka bërë, duke e akuzuar për fshirjen e emrit të vëllait të tij, Olsi Rama, nga dosja penale lidhur me laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Koordinatori juridik i Kryeministrit ka theksuar se avokatët e Bardhit po kërkojnë që vendimet e mëparshme të gjykatës penale të injorohen, duke pretenduar se deklaratat janë thjesht fakte të njohura publikisht. Sipas tij, kjo ndodh pasi avokatët e Bardhit nuk kanë prova dhe po shtyjnë seancën me “llafe boshe”.

“Një mesazh nga koordinatori juridik i shumë gjyqeve me kënetën. Lexojeni pak: “Sot kishim gjyqin për shpifje me Gaz Bardhin. Avokatët e tij kanë këmbëngulur që të mos merren parasysh vendimet e penales, sepse medemek ato që ka thënë Bardhi janë fakte të njohura publikisht dhe ai thjesht i ka përsëritur. Plus në parashtrime thoshin Ols Rama ashtu e Ols Rama kështu paçka se SPAK-u e nxori qartë fare që ai s’ka asnjë lidhje me akuzat e Bardhit. Megjithatë avokati ynë ua ka bërë të qarte që padia është e Edi Ramës dhe bëhet fjalë për deklaratat e Bardhit për kryeministrin që ka fshirë emrin e vëllait nga dosja me prokurorë që pastaj i ka promovuar etj.. Pra  gjyqi është me Edi Ramën dhe për shpifjet ndaj Edi Ramës, prandaj ata duhet të sjellin prova që të vërtetojnë thëniet e Bardhit. Po natyrisht ata prova s’kanë dhe s’përdridhen duke shtyrë seancat me llafe boshe. Ju informoj për seancën tjetër” Eh Babale Babale, s’përdridhu s’përdridhu…”, shkruan Rama.

Nga ana tjetër, Gazment Bardhi ka reaguar me ironi duke thënë se Rama nuk e ka kuptuar siç duhet ligjin, duke shtuar se “kjo është një periudhë e ngarkuar emocionalisht për Kryeministrin”.

“Koordinatori të paska ngrënë “dardha e mollë” pas shpine! Pyete edhe një herë “koordinatorin juridik” se ose s’ke kuptuar ç’të ka thënë, ose të ka gënjyer! Gjasat janë që s’ke kuptuar gjë, sepse jo vetëm s’merr vesh nga ligji, por këtë periudhë je pak i rënduar psikologjikisht. S’ke faj: u bënë shumë dardhë e shumë mollë pas shpine! Deri tek “molla e dardha” e radhës merre qetë, dhe ndaje mendjen kam shpifur për ty apo vlla Olsin!” shkruan Bardhi.

Në janar të vitit 2025, SPAK mbylli hetimet për laboratorin e kokainës në Xibrakë, duke konfirmuar se nuk ka prova që tregojnë përfshirjen e Olsi Ramës në këtë aktivitet kriminal.

/rtsh.al/