RTSH 24 Live

Rajoni

Brukseli dënon kritikat e kryeministrit slloven ndaj gazetares

18/02/2021

Brukseli dënon kritikat e kryeministrit slloven ndaj gazetares

Komisioni Evropian dënoi të enjten kritikën e kryeministrit slloven Janez Jansa ndaj një gazetareje, e cila kishte publikuar një artikull, ku shkruante se liria e medias ishte nën presion në vendin e saj.

Në një koment në Twitter, zoti Jansa akuzoi gazetaren e Politico-s Lili Bayer se gënjente në shkrimin e saj me titull "Brenda luftës së Sllovenisë me median", në të cilin ajo citonte gazetarë dhe organizata të ndryshme, që thoshin se kryeministri Jansa po krijonte një klimë frike në media.

"@liliebayer u udhëzua të mos thoshte të vërtetën, prandaj edhe citonte burime kryesisht ‘të panjohura’ nga e majta ekstreme, duke lënë jashtë qëllimisht burime me emra dhe me integritet," shkruante ai në Twitter, në anglisht.

Nënpresidenti i Komisionit Frans Timmermans u përgjigj me një tweet: "Të shash, të kërcënosh ose të sulmosh gazetarët është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj medias së lirë. Kjo është arsyeja pse gazetarë si @liliebayer meritojnë mbështetjen tonë".

Edhe disa vende të Parlamentit Evropian mbrojtën gazetaren Bayer, përfshirë ish-kryeministrin belg Guy Verhofstadt, i cili akuzoi Kryeministrin Jansa për ngacmim.

Jansa u përgjigj me një tweet ku thuhej: "@guyverhofstadt, ne iu përgjigjëm të gjitha pyetjeve të saj, ndërsa @POLITICOEurope i shpërfilli të gjitha përgjigjet tona. Kush po ngacmon kë?"

Sllovenia merr kryesinë gjashtë-mujore të radhës të BE-së në muajin korrik dhe do të jetë përgjegjëse për përcaktimin e agjendës së takimeve ndërqeveritare të BE-së dhe përfaqësimin e bllokut prej 27-vendesh në disa forume ndërkombëtare.

Komisioni tashmë është përplasur me qeveritë nacionaliste në Hungari dhe Poloni për kufizimin e pavarësisë së medias dhe ka premtuar se do të nxjerrë këtë vit rekomandime specifike mbi sigurinë e gazetarëve.