RTSH 24 Live

Aktualitet

Dita e Pronësisë Intelektuale, drejtoresha e DPPI: Kujdes nga produktet false, mund të jenë të rrezikshme

26/04/2024

Dita e Pronësisë Intelektuale, drejtoresha e DPPI: Kujdes nga produktet false, mund të jenë të rrezikshme

Në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, drejtoresha e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) i bën thirrje konsumatorëve që të mos bien pre e produkteve false.

E ftuar në emisionin “Mirmëngjesi Shqipëri” në RTSH, Rovena Beqiraj tha se produktet jo origjinale, jo vetëm cenojnë të drejtën e pronësisë intelektuale, por po ashtu mund të rezultojnë të dëmshme edhe për shëndetin. Për të ndërgjegjësuar konsumatorët në këtë drejtim, Beqiraj tha se DPPI-ja ka përgatitur disa mesazhe sensibilizuese.

Kemi organizuar disa mesazhe sensibilizuese, ku kërkojmë të ndërgjegjësojmë njerëzit pse është e rëndësishëm që të blejnë dhe përdorin produkte origjinale, mos të bien pre e produkteve false, produkteve që jo vetëm cenojnë të drejtën e pronësisë industriale, por mund të jenë edhe shumë të rrezikshme në aspektin e jetës dhe sigurisë shëndetësore për secilin nga konsumatorët”, u shpreh Beqiraj.

Lidhur me situatën e pronësisë industriale në vend, drejtoresha e DPPI-së tha se marka e parë shqiptare daton që në vitin 1926. Sipas Beqirajt, numri ka ardhur duke u rritur ndër vite, ndërsa thekson se numrin më të lartë e kanë markat tregtare, në raport me shitjet.  

Historia e markave apo pronësisë intelektuale në Shqipëri daton që në 1926 që kemi markën e re shqiptare. Është e re nga ana institucionale, por në realitetin tregtar të shqiptarëve që në 1926 kanë qenë të kujdesshëm të mbrojnë markën e tyre duke i regjistruar ato. Numri ka ardhur gjithmonë duke u rritur, 2023 u mbyll me një rritje prej 6% në raport me vitet e tjera. Numrin më të lartë e kanë markat tregtare në raport me shpikjet, në Shqipëri ende nuk kemi një numër të konsiderueshëm shpikjesh”, u shpreh ajo.

Por çfarë duhet të bëjë një markë për t’u zgjeruar edhe jashtë vendit? Beqiraj sqaron se tashmë procedurat janë lehtësuar dhe se shtrirja e aplikimeve për zgjerim në shtete të ndryshme, shpërndahen përmes DPPI-së.

Marka ka karakter territorial dhe individual, nëse ne e mbrojmë në Shqipëri ka shtrirje vetëm për territorin shqiptar. Nëse biznesi do të zgjerohet jashtë Shqipërisë, duhet të shtrijë edhe markën e tij. Sot është më e thjeshtë për shkak të marrëveshjeve dhe anëtarësimit që Shqipëria ka në konventa të ndryshme ndërkombëtare, mund të bëhet shtrirja e këtyre markave pa patur mundësi biznesi të shkojë nëpër zyra, por përmes DPPI-së mund ta shtrijë markën e tij, ne shërbejmë si zyrë që shpërndajmë aplikimet e tij”, shpjegon Beqiraj.

/rtsh.al/