RTSH 24 Live

Aktualitet

Ngjarja e rëndë në Shkodër, prokuroria i dha leje babait për të vajtur në varrimin e vajzës, s'u lejua nga policia

06/05/2024

Ngjarja e rëndë në Shkodër, prokuroria i dha leje babait për të vajtur në varrimin e vajzës, s'u lejua nga policia

Radiotelevizioni Shqiptar ka siguruar letrën ku Erdgys Arrazi ka kërkuar leje për të qenë i pranishëm në varrimin e vajzës së tij të mitur Ergesa 9 vjeç, trupi i së cilës u gjet në lumin Buna nga një peshkatar i zonës.

Leja për të qenë i pranishëm në varrimin e vajzës së mitur ditën e sotme 6 maj në orën 14.00 është miratuar nga prokuroi Ledion Tema, por është refuzuar nga Policia e Shkodrës, duke mos lejuar babën Erdgys Arrazi të jetë i pranishëm në varrimin e së bijës.

Erdgys Arrazi u ndalua nga policia më 5 maj nën akuzën e "Shkaktimit të vetëvrasjes”, pasi ka dyshime se për shkak të dhunës në familje dhe tradhtisë bashkëshortja e tij Alma Arrazi së bashku me tre fëmijët e mitur të vetëhidhen në lumin Buna. Deri më tani janë gjetur trupat e pajetë të dy vajzave, ndërsa vijojnë kërkimet për nënën dhe djalin e vogël.

Në përgjigje të kërkesës tuaj, ku kërkoni leje të veçantë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të vajzës së mitur Ergesa Erdgys Arrazi në datën 06.05.2024 ora 14:00, për të arrestuarin Erdgys Arrazi, i cili është ndaluar në datën 05.05.2024 për kryerjen e veprës penale "Shkaktimi i vetëvrasjes " parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, ju bëjmë me dije se bazuar në parashikimet ligjit 81/2020 "Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve dhe "Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve", kompetent për dhënien e lejeve të veçanta është Drejtori i Institucionit ku mbahet personi i ndaluar, i cili merr pëlqimin e prokurorit.

Organi procedues jep pëlqimin që personi nën hetim të lejohet të marrë pjesë në ceremoninë mortore, nëse nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër garantohet siguria dhe rendi gjatë shoqërimit të tij, ndalohet komunikimi me çdo person tjetër dhe sigurohet rikthimi i tij në dhomat e sigurisë ku mbahet i ndaluar, menjëherë pas përfundimit të ceremonisë mortore.

Sa më sipër, ju lutem të drejtoheni në institucionin kompetent, për shqyrtimin e kërkesës suaj.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

DREJTUESI I PROKURORISË ALBERT MURÇAJ NË MUNGESË DHE ME POROSI PROKURORI LEDION TEMA” shkruhet në letrën e prokurorisë, e siguruar nga RTSH.

/rtsh.al/