RTSH 24 Live

Kosovë

Borrell: E kotë të vihet në dyshim marrëveshja e Ohrit. Do të monitorojmë kush e zbaton e kush jo

23/03/2023

Borrell: E kotë të vihet në dyshim marrëveshja e Ohrit.  Do të monitorojmë kush e zbaton e kush jo

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell do të informojë liderët e BE-së për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë. 

Sot e nesër në Bruksel zhvillohet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, ku do të flitet për Ukrainën pritet që të shprehet mbështetje për  marrëveshjen e arritur në Ohër.

Para takimit Borrel u tha gazetarëve se e konsideron të kotë çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen që është propozuar nga BE

"Më lër të them se çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje marrëveshjen është e kotë. Marrëveshja u dakordësua dhe duhet të implementohet. Nuk ka nuk ka vend për zgjedhje tjetër. Është një e tërë dhe e tillë, duhet tё zbatohet nga të gjithë palët. Ne do të ndjekim nga afër se kush po zbaton dhe kush nuk po e zbaton. Unë do t'i këshilloja ata që të mos e drejtojnë gishtin tek askush, por ta bёjnё punën e tyre” deklaroi Borell.

Samiti pritet tu bëjë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë këtë marrëveshje.

Pajtimi i arritur mes palëve në Ohër, më 18 mars do të jetë pjesë edhe e konkluzioneve nga ky takim i liderëve të vendeve anëtare të BE-së.

“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin për implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe me mirëbesim të implementojnë obligimet e tyre përkatëse“, thuhet në këtë tekst.

Për këtë temë ishte diskutuar edhe më herët gjatë javës, në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Temat kryesore të samitit dy ditor do të jenë Ukraina, forcimi i ekonomisë evropiane, energjia, emigracioni dhe forcimi i eurozonës.

/rtsh.al/