RTSH 24 Live

Kosovë

Borrell: Aneksi thekson se Kosova është e përkushtuar për formimin e Asociacionit

21/03/2023

Borrell: Aneksi thekson se Kosova është e përkushtuar për formimin e Asociacionit

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell pas takimit në Këshillin e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, ka thënë se ata i ka informuar për marrëveshjen në Ohër. Ai ka thënë se marrëveshja është arritje e madhe dhe se krijon një status-quo të re në dialog. Borrell ka deklaruar semarrëveshja dhe aneksi kanë hyrë në fuqi me deklaratën e lëshuar.

"Aneksi thekson qartë se Kosova është e përkushtuar për zhvillimin e menjëhershëm të asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës. Ne do të ndjekim nga afër se si të dy palët i zbatojnë këto obligime që janë pjesë integrale e rrugëve të tyre drejt Evropës”, ka thënë Borrell

Ai, më tej ka shtuar se dispozitat e dakorduara do të inkorporohen si pjesë integrale e rrugëve të Kosovës dhe Serbisë për në BE.

Duke folur për marrëveshjen, Borrell ka thënë se ajo duhet të zbatohet sipas një kalendari të caktuar dhe se do të ndiqet nga afër se si të dy palët i zbatojnë këto obligime.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje, 18 mars,  janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij.

Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Gazetare: Teuta Shamku

kosovapress/rtsh.al/