RTSH 24 Live

Kosovë

Bllokohet rruga në afërsi të pikës kufitare në Merdar

06/09/2024

Bllokohet rruga në afërsi të pikës kufitare në Merdar

Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdar, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.

Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.

Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.

Veturat që kalojnë nga Serbia në Kosovë janë të pakta, ndërsa nga Kosova po vazhdon qarkullimi normal i veturave të cilat po kalojnë përmes kësaj pike nga ana e Serbisë, pavarësisht se vetëm rreth 500 metra më tutje disa qytetarë serbë kanë dalë në mes të rrugës me qëllim që ta bllokojnë këtë pikë kufitare.

Në Jarinjë, media ka ndjekur nga afër edhe një rast për të cilin policët dëgjohen deri sa rekomandojnë disa mërgimtarë që të shmangin këtë pikë kalimi për shkak të protestës së paralajmëruar nga qytetarët serbë.

Të njëjtit vazhduan rrugën drejtë kësaj pike për në Serbi.

Në Jarinjë zyrtarisht nuk është mbyllur kjo pikë kufitare, por vazhdon të ketë kohë pas kohe qarkullim të vogël të veturave.

Ajo çka shihet më shpesh është qarkullimi i mauneve të mëdha që po hyjnë nga Kosova në Serbi.

Në anën tjetër policët e rendit e ata kufitarë të Kosovës janë parë në pikën kufitare Jarinjë duke vazhduar me detyrat e tyre në bazë të planit operacional.

Vendkalimet Bërnjak, Jarinjë, Merdar nga ana e Serbisë qendrore dhe vendkalimi Kullë në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi – janë pikat për të cilat është njoftuar se të njëjtat do të bllokohen nga grupe të ndryshme të qytetarëve serbë.

Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.

Rojeviq tha se bllokadat janë “reciprocitet i asaj që Kurti po ua bën serbëve” në Kosovë.

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit muajt e fundit – për çfarë janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

/rtsh.al/