I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme Stiv Uitkoff ndodhet në Katar për t'iu bashkuar bisedimeve mes Izraelit dhe Hamasit për zgjatjen e armëpushimit në Gaza. Këtë javë, negociatorët nga të dyja palët kanë filluar të takohen me ndërmjetësit për herë të parë që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën më 20 janar. Faza e parë 42-ditore e marrëveshjes së Gazës dhe armëpushimi i përkohshëm hynë në fuqi në prag të inaugurimit të tij dhe përfundoi më 1 mars.
Gjatë asaj faze 42-ditore, Hamasi liroi 25 pengje të gjallë izraelitë dhe dorëzoi trupat e pajetë të tetë të tjerëve në këmbim të rreth 1800 të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli. Tel Avivi tashmë shpreson se Shtetet e Bashkuara mund të nxisin arritjen e një marrëveshjeje për një zgjatje dymujore të armëpushimit, e cila do të fillonte me lirimin e rreth gjysmës së pengjeve të gjallë që mbahen ende nga grupi militant palestinez në Gaza.
Hamasi deri më tani e ka refuzuar zgjatjen e armëpushimit, pasi kërkon bisedime të menjëhershme për fazën e dytë të marrëveshjes, e cila parashikon t’i japë fund luftës dhe do të çonte në një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Rripi i Gazës.
Megjithatë, grupi militant deklaroi se po u bashkohej bisedimeve në Doha me përgjegjësi të plotë dhe qëllim të mirë. Që nga fillimi i këtij muaji, Izraeli ka bllokuar të gjitha dërgesat e ndihmave, përfshirë ushqimin dhe karburantin, në Gaza, duke pretenduar se synon të ushtrojë presion mbi Hamasin.
/rtsh.al/