RTSH 24 Live

Botë

Biden pret Trump në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i zgjedhur: Transferimi i pushtetit do jetë i qetë

24 orë para

Biden pret Trump në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i zgjedhur: Transferimi i pushtetit do jetë i qetë

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për t'u takuar me presidentin në largim, Joe Biden.

Gjatë takimit tradicional ata thanë se shpresonin për një tranzicion presidencial "të butë".

"Zoti President dhe President i zgjedhur, urime dhe mirë se erdhët. Jam i lumtur që do të kemi një transferim paqësor dhe të rregullt të pushtetit," i tha Biden Trump.

Ndërsa Trump u përgjigj: “Zoti President, gëzohem që ju shoh, politika është e vështirë, ka ditë të mira dhe ditë të këqija. Bota jonë nuk është gjithmonë e bukur, por sot është një botë e bukur dhe me siguri transferimi i pushtetit do të jetë i qetë."

Trump festoi fitoren e tij më parë gjatë ditës me republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve që kanë shanse të mira për të mbajtur kontrollin e dhomës.

"A nuk është mirë të fitosh? Është kënaqësi të fitosh. Është gjithmonë mirë të fitosh", tha Trump.

Biden, i cili fillimisht kandidoi kundër Trump në zgjedhjet e vitit 2024 përpara se të largohej dhe të miratonte zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidaten demokrate, mirëpriti presidentin e mëparshëm dhe të ardhshëm në Zyrën Ovale.

"Ai beson në norma, beson në institucionin tonë, beson në transferimin paqësor të pushtetit", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre për vendimin e Biden për të ftuar Trumpin.

Biden dhe Trump kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin prej vitesh dhe ekipet e tyre përkatëse mbajnë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, nga ndryshimet klimatike e deri te tregtia.

Biden, 81 vjeç, e ka portretizuar Trumpin si një kërcënim për demokracinë, ndërsa Trump, 78 vjeç, e ka portretizuar Biden si të paaftë.

/rtsh.al/