RTSH 24 Live

Kosovë

Betohen kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës

25/05/2023

Betohen kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, bënë të enjten ( 25 maj) betimin në pozitat e tyre.

Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa Peci u betua në shkollën fillore "Isa Boletini" në fshatin Boletin të Zveçanit.

"Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet", tha Zeqiri pas betimit.

Betimin pritet ta bëjë edhe kryetari i ri i Leposaviqit, ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut e ka bërë më 19 maj, sipas REL.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe që të gjithë shqiptarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit u betuan në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale, për arsye sigurie.

Në Leposaviq, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.

Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre që të gjithë nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje.

/rtsh.al/