RTSH 24 Live

Serbi

Bërnabiq kërkon sqarime nga OSBE-ODIHR pas kritikave për zgjedhjet lokale

04/06/2024

Bërnabiq kërkon sqarime nga OSBE-ODIHR pas kritikave për zgjedhjet lokale

Kryetarja e Parlamentit dhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i ka kërkuar ODIHR-it të sqarojë në detaje kritikat për zgjedhje e fundit lokale.

Lamberto Zanier (o. Zannier), kreu i misionit monitorues të OSBE-së dhe i Zyrës për Institucione Demokratike (ODIHR) shprehu një ditë më parë shqetësime për mënyrën e mbulimit të opozitës nga mediat vendase, presionin ndaj punonjësve të administratës publike dhe keqpërdorimin e mundshëm të fondeve publike në interes të partisë në pushtet.

"Më duket se atmosfera në këto zgjedhje është përmirësuar. Janë bërë disa hapa përpara, por problemet nuk janë zgjidhur në mënyrë radikale për sa i përket monitorimit të listës së votuesve, parandalimit të keqpërdorimit të fondeve publike, raportimi i pavarur mediatik - të gjitha këto janë përsëritur," tha z. Zanier për zgjedhjet e 2 qershorit.

Të hënën, kryeparlamentarja Bërnabiq vuri në dyshim disa prej qëndrimeve të OSBE-ODIHR-it dhe kundërshtoi pikën kritike për sa i përket paanësisë mediatike në fushatën zgjedhore.

"Transmetuesi publik ka qenë në favor të partive opozitare. Nuk është e drejtë që në një debat televiziv në RTS, raporti i forcave politike të jetë tre me një, ndërsa opozita të ketë 45 minuta kohë dhe përfaqësuesi ynë 15," tha Bërnabiq.

Më 2 qershor, qytetarët serbë votuan në 89 qytete dhe bashki, duke nxjerrë fituese Partinë Progresiste Serbe thuajse në të gjitha zonat. Opozita ka akuzuar partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq për manipulimin e votave. /OSCE, RSE

/rtsh.al/