RTSH 24 Live

Kosovë

Erdoan: Paqja në Ballkan me rëndësi të madhe. Vuçiq: S'jemi të interesuar për luftë

11/10/2024

Erdoan: Paqja në Ballkan me rëndësi të madhe. Vuçiq: S'jemi të interesuar për luftë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdoan deklaroi të premten nga Beogradi se në Ballkan duhet të mbizotërojë paqja e stabiliteti dhe pala serbe t'i qaset me "gjykim të shëndoshë" tensioneve me Kosovën.

Deklarata e presidentit Erdoan u bë krah homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq. Të dyja qeveritë firmosën një sërë marrëveshjesh për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë gjatë vizitës zyrtare që pasoi takimin me autoritetet në Shqipëri një ditë më parë.

"Marrëdhënia jonë me Serbinë është e tillë që mund ta vlerësojmë si një 'Epokë e Artë'. Ne kemi punuar intensivisht për të zhvilluar miqësinë dhe lidhjet tona.

Bashkë nënvizuam rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Në këtë kontekst, është e qartë se tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës duhen gjykuar në mënyrë të matur. Konfirmuam edhe qëndrimin e dy vendeve tona për të ruajtur stabilitetin në Bosnjë-Hercegovinë, e cila është shumë e brishtë politikisht dhe kjo duhet ndryshuar sa më shpejt. Mendoj që Serbia mund të luajë një rol konstruktiv," u shpreh presidenti Erdoan.

Nga ana e tij, homologu Vuçiq shtoi se duhen ndërmarrë disa hapa për të garantuar stabilitetin në Ballkan, siç është edhe bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit. Presidenti i Serbisë tha se vendi i tij nuk është i interesuar për luftë.

"Ne nuk jemi të interesuar për luftëra, por as industria jonë ushtarake nuk është aspak për t'u nënvlerësuar. Së fundmi kemi rinovuar lejet për eksportin drejt Turqisë, për herë të parë pas një kohe të gjatë, të një numri të konsiderueshëm predhash.

E rëndësishmja është që ne kemi një industri të fortë të mbrojtjes për të ruajtur paqen. E them njëqind herë se nuk jemi të interesuar për luftëra, por duhet të kemi forcën e mjaftueshme t'i pengojmë të gjithë ata që nuk dëgjojnë apo gjithmonë mendojnë për diçka tjetër," theksoi presidenti Vuçiq.

Presidenti Erdoan udhëtoi të enjten mbrëma drejt Beogradit. Ai u prit me nderime të larta në Pallatin Presidencial.

Tema diskutimi ishin forcimi i raporteve ekonomike, si edhe bashkëpunimi për mbrojtjen. Z. Erdoan tha se dronët e prodhimit turk, Bajraktar, mund të jenë bazë për bashkëpunimin të ardhshëm dypalësh në fushën e industrisë luftarake.

/rtsh.al/