Ambasadori amerikan në Serbi, Kristofer Hill (o. Christopher), beson se Kosova dhe Serbia do kenë mundësinë të normalizojnë raportet mes tyre.
Në një intervistë për televizionin serb "N1", z. Hill përsëriti qëndrimin e qeverisë amerikane se një asociacion i komunave serbe do të ndihmonte uljen e tensioneve në veri të Kosovës, edhe pse çështja ka ngecur në nivelin politik.
Ambasadori Hill ka qenë në dijeni të negociatave për paqe mes dy vendeve që në vitin 1999, kur iu dha fund luftës mes dy fqinjëve.
"Kur u ktheva në Serbi më shumë se 20 vjet më vonë, u habita që çështja kishte mbetur po aq aktuale sa herën e fundit që isha interesuar për të. Kam punuar në një sërë pjesësh të tjera të botës, kam qenë në Lindjen e Mesme, Azinë Lindore dhe kur pashë që çështja e Kosovës mbetet burimi kryesor i tensionit të madh... Pikëpamja ime personale është se ne kemi nevojë për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Të bëjmë që kufiri të mos jetë një kufi që ndan dy vende, por një kufi që lehtëson komunikimin. Kjo është më e mira për të gjithë, përfshirë popullin e Kosovës dhe popullin e Serbisë. Pra, shpresoj se ky proces i udhëhequr nga ambasadori [Miroslav] Lajçak do të vazhdojë. Shpresoj se do të mbizotërojë logjika e arritjes së normalizimit dhe zgjidhjes së problemeve të njerëzve në Kosovë. Njerëzit duhet të dinë se çfarë e ardhme i pret.
Kjo nuk ka të bëjë me politikën e lartë, por njerëzve u duhet shpjeguar se si do të duket. Pavarësisht nëse kanë spitale, a do të mund të shkollohen në gjuhën serbe? Njerëzit kanë të drejtë t'i dinë këto gjëra, çështje të rregulluara brenda Komunitetit të Komunave Serbe. Unë dhe qeveria ime dëshirojmë që kjo të realizohet," u shpreh diplomati amerikan. /N1
/rtsh.al/