RTSH 24 Live

Kosovë

Qeveria e Kosovës lehtëson masat për qarkullimin e produkteve serbe

07/10/2024

Qeveria e Kosovës lehtëson masat për qarkullimin e produkteve serbe

Kosova ka vendosur të heqë masat për ndalimin e produkteve të importuara nga Serbia pas presionit ndërkombëtar se po cenon tregtinë e lirë me rajonin.

Raportohet se Ministria e Punëve të Brendshme e ka ndryshuar masën e sigurisë për maunet nga Serbia nga "qarkullim i kufizuar" në "kontroll i detajuar". Ndryshimi i masës vlen vetëm për pikëkalimin e Merdarit, jo për pikat e tjera kufitare me Serbinë.

Kosova ka ndaluar importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve nga forcat serbe, me dyshimin se bashkë me mallrat futeshin ilegalisht edhe armë luftarake, që do të përdoreshin për të nxitur tensionet në veri të vendit.

"Një masë e tillë ka rrezikuar edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Duke pasur parasysh që njëri ndër synimet kryesore të CEFTA-s përfshin reduktimin e kostove të tregtisë dhe prodhimit, përmes eliminimit të barrierave të lëvizjes së mallrave, Oda Amerikane i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejt të jetë e mundur të fuqizojë mekanizmat e kontrollit në të gjitha vendkalimet kufitare, që masa aktuale e sigurisë të mund të shfuqizohet në tërësi," reagoi Oda Ekonomike Amerika në Kosovë, duke e përshëndetur vendimin e qeverisë.

Më 14 tetor, vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhen gati të marrin pjesë në samitin e dhjetë të Procesit të Berlinit. Pjesë e CEFTA-s janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia. Gjermania, si vend propozues i Procesit për fqinjësi më të mirë në Ballkan, kishte paralajmëruar mospjesëmarrjen në samit nëse do të vijohej me ndalimin e mallrave serbe nga Kosova. /KK, Zëri

/rtsh.al/