RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Protestë më 6 dhjetor, ditën e samitit të BE në Tiranë! Liderët europianë ta marrin si rast mikpritje

18/11/2022

Berisha: Protestë më 6 dhjetor, ditën e samitit të BE në Tiranë! Liderët europianë ta marrin si rast mikpritje

Siç e paralajmëroi një ditë më parë nga foltorja e kuvendit, Sali Berisha do të thërrasë protestën në Tiranë më 6 dhjetor, ditën e samitit BE dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar.

Berisha shprehet se kjo protestë bëhet në të njëjtën ditë me qëllimin që Evropa të kuptojë problemet reale të shqiptarëve, ndërsa shton se liderët evropiane që do të vijnë në Tiranë ta marrin si mikpritje këtë rast.

Në mbledhjen e kryesisë, Berisha tha se protesta do të jetë paqësore kundër qeverisjes aktuale.

“Europa vjen në Tiranë. Shqipëria duhet të vijë në Europë. Ky është koncepti im për të paraqitur problemet e tmerrshme me të cilat përballen shqiptarët në mënyrën më paqësore e dinjitoze duke garantuar asnjë lloj vështirësie veçse mikpritje për samitin dhe krerëve të qeverive të BE por duke nderuar Shqipërinë me një përfaqësim tjetër nga ai që bën Edi Rama të qytetarëve shqiptarë për të sjellë në arenë apo tryezë problemet e tmerrshme madhore me të cilat përballen shqiptarët sot nga një plackitës. Të vërtetat e mëdha të kombit duhet të dalin një nga një. Data 6 Dhjetor mendoj unë është një rast historik që populli opozitar të ngrejë zërin e tij para përfaqësuesve më të lartë të demokracive europianë para të gjithë botës pikërisht me këtë agjendë. Ndaj ftoj që ta marrim këtë si akt mikpritje ndaj tyre, dhe padiskutim armiqësor, flagrant, ndaj Edi Ramës, i cili në aferat e tij turpëron çdo njeri, çdo komb dhe lirinë”, tha Berisha.

/rtsh.al/