Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në ceremoninë e shpërndarjes së 188 medaljeve të arta për nxënësit ekselentë se ata përbëjnë modelin që nuk janë zmbrapsur para çdo lloj vështirësie.
Rama iu drejtua nxënësve se ata përbëjnë një frymëzim për të gjithë e për të në veçanti.
Sipas kryeministrit Rama, kjo është faza e parë e arritjes së çdo nxënësi ekselent ndërsa tha se ata kanë një rrugë të gjatë përpara.
“Ju falënderoj shumë dhe besojeni këtë gjë; ju falënderoj me gjithë zemër sepse më frymëzoni.
Kur mendoj ato që thashë dhe kur mendoj se ju jeni këtu në majë të një arritje të parë të historisë suaj, për të marrë medaljen e artë pasi keni refuzuar çdo lloj justifikimi për çdo lloj vështirësie, unë them me vete, se përderisa ju ia keni dalë edhe mund t’ia dal. Dhe kur të dilni nga kjo sallë do të ndiheni pak të lodhur, duhet ta dini që është energjia që unë kam marrë nga ju për veten time.
Qeshni dhe besojeni, është kështu si po ju them unë. Nuk na ndodh shpesh, ndodh shumë rrallë që mund të gjendemi në kushte kur mund të marrim kaq shumë energji.
Unë mund ta pranoj në kushtet e një abuzimi me detyrën, ju kam ftuar këtu dhe po marr sa të mundem nga energjia juaj sepse keni plot”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/