Kreu demokrat Sali Berisha ka mbledhur këtë të mërkurë (4 dhjetor) grupin parlamentar.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se Porti i Durrësit është afera më e madhe korruptive në historinë e këtij vendi pas vitit 1990.
“Të nderuar, nga të gjitha aferat korruptive, nga viti 1990 gjer sot, afera më e madhe korruptive në historinë e këtij vendi është Porti i Durrësit.
Në raport me qytetarin, ky është ndëshkimi më i madh për qytetarët shqiptarë pas ndëshkimit që u ka bërë Enver Hoxha me bunkerët shqiptarëve.
Ai, për shumë vite, 30 përqind të buxhetit e futi në bunker, por dhe sado që përpiqen, po në qoftë se e konverton me dollarin e sotëm atë shpenzim, ai mund të jetë 5, 8 miliardë dollarë të groposura, të varrosura nga një paranojak në një kohë kur shqiptarët përjetonin urinë e zgjatur.
Por pas bunkerëve, nuk ka vjedhje më të tmerrshme, më të madhe se vjedhja me Portin e Durrësit”, deklaroi Berisha.
Ky i fundit theksoi se ndonëse opozita e ka denoncuar shpeshherë atë që konsideron krim, abuzimet me Portin e Durrësit nuk ndalen.
“Ne e kemi denoncuar, jemi përpjekur me të gjitha çfarë kemi pasur në dorë ne, e kemi dorëzuar edhe në prokurori dhe kudo, në Gjykatë Kushtetuese, por kjo nuk ka të ndalur.
Ky është një krim që nuk i është bërë ndonjëherë këtij vendi. Porti i Durrësit, i cili pa asnjë lloj vështirësie arrinte kapacitetin 4 milion ton dhe, ne lamë një tender të gatshëm për thellimin e tij gjer në ankorimin e anijeve 50 mijë tonëshe nga një kompani e fuqishme gjermane.
Porti i Durrësit është porti më natyral i Shqipërisë”, theksoi Berisha.
Berisha theksoi se PD do kërkojë Komision Hetimor parlamentar për Portin e Durrësit.
Ndërkaq, kreu demokrat bëri me dije se do të çojnë në gjykatat e vendit e më pas në Strasburg, të gjitha ato që i konsiderojnë si dosje të krimit elektoral të mbyllura nga SPAK.
“Problemi i dosjeve që ne dorëzojmë në SPAK dhe mbylljes që u bën SPAK me urdhër të partisë, këtyre dosjeve.
Por tani të gjitha dosjet që Skrapi i partisë i ka mbyllur, të gjitha dosjet i kanë tejkaluar afatet ligjore, do ti drejtojmë në gjykata, duke paditur autorët e krimit elektoral dhe Skrapin si bashkëpunëtor të tyre që mbyll dosjet.
Nëpërmjet gjykatave ne ndjekim spiralin gjer në Strasburg”, tha Berisha. Ky i fundit porositi demokratët që të iniciojnë rezoluta të reja kundër qeverisë Rama, në të gjitha asambletë parlamentare ku bëjnë pjesë.
/rtsh.al/