RTSH 24 Live

Ekonomi

Berisha paraqet pikat e programit të PD: Shqipëria prodhuese do jetë motoja jonë

20/02/2025

Berisha paraqet pikat e programit të PD: Shqipëria prodhuese do jetë motoja jonë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar programin e partisë që ai drejton. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se nëse PD del fituese në zgjedhjet e 11 majit, premtoi ulje të taksës së pronës, çmimit të energjisë për bizneset si dhe të çmimit të naftës. Berisha theksoi se “Shqipëria prodhuese” do të jetë motoja e PD-së gjatë fushatës.

Pra, të themi të vërtetën, programi i PD tejkalon për mirë edhe parashikimet e atyre që përfitojnë prej tij. Taksa e pronës do zbresë 5 herë. Do ulet me 500 përqind. Çmimi i energjisë për bizneset do ulet me 300 përqind. Do ulet tre herë. Çmimi i naftës do ulet me 40 përqind. Tatimi mbi të ardhurat zbret në 10 përqind. Të vetëpunësuarit që paguajnë taksë edhe si punëdhënës dhe si punëmarrës, do kenë vetëm një. Do nxitet prodhimi me një seri stimujsh fiskalë dhe të tjerë. Shqipëria prodhuese do të jetë motoja jonë. Midis Shqipërisë hotel dhe Shqipërisë prodhuese, ne jemi pa diskutim për Shqipërinë prodhuese. Shqipëria turistike është pa mëdyshje një objektiv që do konsolidohet. Por kurrë një turizëm i stilit kolonial, i llojit ku qytetari shqiptar përfiton 4 euro për turist dhe shpenzon 230 euro për turist. Kjo nuk ndodh më! Kjo merr fund”, tha Berisha.

Programin e PD-së për sistemin shëndetësor Berisha e konsideroi “të shkëlqyer”, teksa premtoi dyfishim të buxhetit për kujdesin shëndetësor.

Ne arrijmë të ulim me shpejtësi gjobën që shqiptarët paguajnë për kujdesin e tyre shëndetësor. Statistikat e Bankës Botërore faktojnë se shqiptarët paguajnë më shumë se çdo popull tjetër në Europë, paguajnë 62 përqind të kësaj fature, në një kohë kur ajo ishte premtuar falas. Ne nuk premtojmë shëndetësi falas, sepse premtimi i shëndetësisë falas solli këtë gjendje dramatike të këtij sistemi sot. Por ne premtojmë absolutisht një kujdes shëndetësor cilësor. Premtojmë një dyfishim të buxhetit për kujdesin shëndetësor dhe jo të qytetarëve, por të buxhetit të shtetit”, deklaroi ai.

Edhe për arsimin, Berisha premtoi dyfishim të buxhetit.

Arsimin do e kthejmë një ngjitje të madhe. Ne e kthyem njëherë. Në vitet 2005-2013, arsimi pësoi një rritje vertikale në testin e PISA-s. Kjo rritje u rikthye dhe sot është në rënie vertikale. Ne me dyfishimin e buxhetit për arsimin, modernizimin e tij, të teknologjisë së kurrikulave dhe gjitha të tjerat, do bëjmë që arsimi ynë të nisë përsëri ngjitjen e madhe në këtë garë”, tha kreu i PD-së.

/rtsh.al/