Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar t'i njihen kredencialet e deputetit, për t'u kthyer sërish në Parlament pas masës së arrestit shtëpiak që po rëndon ndaj tij prej më shumë se dy javësh.
Avokatët e kryedemokratit të Rithemelimit iu drejtuan të hënën prokurorëve të SPAK-ut me kërkesën që z. Berisha të lejohet të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.
"Kjo është një e drejtë dhe detyrim kushtetues për të përmbushur detyrën si ligjvënës," argumentojnë avokatët e ish-kryeministrit.
Kërkesa për lejimin ose moslejimin e pjesëmarrjes pritet të shqyrtohet nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai, të cilët më parë kanë kërkuar kufizimin e z. Berisha brenda shtëpisë së tij.
Kreu i demokratëve të ndarë nga PD-ja zyrtare prej ditësh po shfrytëzon banesën e tij për t'u bërë thirrje mbështetësve që ta ringrenë opozitën dhe t'i rezistojnë pushtetit qeveritar.
Z. Berisha ndodhet në arrest shtëpiak nga data 31 dhjetor. Masa u kërkua pas dyshimeve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion se ish-kryeministri mund të ketë kryer veprën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
/rtsh.al/